Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka reaguar pas sulmit tragjik me armë zjarri në Krakov, duke bërë të ditur se po mbahet vazhdimisht i informuar nga ministri i Punëve të Brendshme për zhvillimet dhe hetimet që po zhvillohen.
Tusk tha se policia po heton prapavijën dhe të gjitha rrethanat e sulmit, ndërsa shprehu ngushëllime për familjet dhe të afërmit e viktimave.
“Ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e viktimave të sulmit tragjik në Krakov”, deklaroi ai.
Kryeministri polak vlerësoi lart edhe reagimin e policisë, duke thënë se pjesëtarët e saj vepruan me guxim dhe duke rrezikuar jetën e tyre.
“Respekti më i lartë për policët heroikë, të cilët vepruan duke rrezikuar jetën e tyre”, tha Tusk.
Ai gjithashtu u bëri apel politikanëve të të gjitha krahëve që të mos e përdorin tragjedinë për përfitime politike.
“Mos e përdorni këtë tragjedi për lojëra politike. Do t’i sqarojmë të gjitha rrethanat e këtij krimi”, theksoi ai.
Sipas Tuskut, policia reagoi menjëherë, ndërsa tre zyrtarë policorë mbetën të plagosur gjatë ndërhyrjes.
“Tre prej tyre u plagosën, ndërsa njëri po lufton për jetën. Ata kanë nevojë për lutjet tona, solidaritetin dhe mbështetjen e plotë”, shtoi kryeministri polak.
Burimi:botasot.info
