E rëndë në Athinë, gjendet në një valixhe trupi i pajetë i një gruaje! Nisin hetimet

Trupi i një gruaje u gjet në një valixhe në Athinë teksa autoritetet po vijojnë hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë. Trupi u gjet brenda një valixheje që ishte braktisur në një trotuar, në kryqëzimin e rrugëve Alkamenous dhe Charissis, në zonën e Agios Panteleimonas. Sipas informacionit, valixhja u zbulua nga një i huaj, i cili vuri re një erë të fortë dhe njoftoi autoritetet.

Oficerët e policisë nxituan në vendngjarje, të cilët pas inspektimit përcaktuan se brenda valixhes kishte një trup njeriu.  Mësohet se viktima u gjet me këmbët e lidhura brenda valixhes.

Autoritetet po kërkojnë përgjigje në lidhje me rrethanat e vdekjes së gruas, ashtu edhe në lidhje me mënyrën se si valixhja përfundoi në një trotuar në zonë.

Sipas informacioneve, trupi i përket një gruaje të re me prejardhje afrikane, e cila nuk kishte asnjë dëmtim të dukshëm. Megjithatë, për shkak të dekompozimit të avancuar, vlerësohet se vdekja e saj kishte ndodhur afërsisht pesë deri në shtatë ditë para se të zbulohej.

Policia po shqyrton të gjitha mundësitë, përfshirë veprimin kriminal dhe mundësinë që vdekja të ketë qenë e lidhur me përdorimin e drogës.