Një vjeshtë mes kujtimeve dhe mallit

Kjo vjeshtë më duket se ishte njëra ndër më të bukurat e jetës sime. Një lajm i këndshëm nga dhëndri dhe motra ime na gëzoi pa masë: do të kalonim disa ditë së bashku, duke udhëtuar, pushuar dhe vizituar vende të bukura nëpër Shqipëri.

Për mua dhe bashkëshorten time, që tashmë kemi hyrë në vitet e pleqërisë, një udhëtim i tillë ishte një dhuratë e veçantë. Me zemër të mbushur plot gëzim, u nisëm nga Perëndimi drejt Shqipërisë, kësaj toke që përherë ka qenë dhe mbetet krenaria e kombit tonë, me pasuri të rralla historike, kulturore e natyrore. Shqipëria, me malet e bjeshkët, luginat, lumenjtë, detin, liqenet dhe pasuritë e saj nëntokësore, është një vend i begatë, që natyra e ka pajisur me bukuri e mundësi të jashtëzakonshme.

Gjatë dhjetë ditëve të udhëtimit, ne, katër udhëtarët e pandarë, vizituam tetëmbëdhjetë qytete. Vjeshta na priti me ngjyrat e saj të arta, me qiellin e kthjellët dhe rrezet e buta të diellit. Pemishtet ishin të mbushura me ullinj, portokaj, mandarina e limona, fryte të punës dhe përkushtimit të njerëzve të kësaj toke.

Në çdo qytet kërkonim të njihnim historinë, monumentet, muzetë, kalatë, kishat e xhamitë, por edhe të takonim njerëz të artit e të kulturës. Këto ndalesa, biseda dhe përjetime na e bënin udhëtimin edhe më të bukur. As lodhjen nuk e ndienim, sepse çdo ditë na dhuronte diçka të re.

Njëra ndër dëshirat tona të kahershme ishte vizita në Parkun Arkeologjik të Orikumit. Kishim provuar edhe dy herë të mëparshme, por pa sukses, sepse në të dy rastet e kishim gjetur të mbyllur. Kësaj radhe, duke u nisur nga Vlora historike, shpresonim se më në fund do të na buzëqeshte fati.

Dhe, vërtet, e treta e vërteta!

Këtë herë na priti përgjegjësi i parkut, i cili me dashamirësi na udhëzoi për vendet që mund të vizitonim, na hapi portën dhe na uroi një ditë të mbarë.

Para nesh u shfaq kjo perlë e rrallë arkeologjike, ku historia e lashtë ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Aty ku deti duket sikur bisedon me natyrën, ku gurët e mureve madhështore ruajnë kujtimet e shekujve dhe ku valët e Jonit janë të vetmet që e ndërpresin heshtjen e lashtësisë.

Çdo gur dukej sikur kishte një histori për të rrëfyer. Puset e vjetra, muret gjigante dhe gjurmët e vendbanimit të lashtë dëshmonin për jetën dhe zgjuarsinë e njerëzve që kishin jetuar aty. Edhe rrënojat e teatrit antik të krijonin përshtypjen se, përtej shekujve, ende dëgjoheshin zërat e aktorëve dhe duartrokitjet frenetike të spektatorëve.

Sikur vetë parku të na thërriste: Ejani e më njihni, sepse në gjirin tim ruaj një thesar të paçmuar të historisë!

Qëndruam më shumë se tri orë, duke shëtitur, fotografuar dhe shijuar bukurinë e këtij vendi të lashtë. U larguam të kënaqur, me dëshirën që një ditë të ktheheshim përsëri. Pas nesh mbetën gurët dhe muret e heshtura, ndërsa në shpirt morëm me vete një pjesë të historisë së tyre.

Pas kësaj vizite vazhduam rrugëtimin drejt Durrësit. Të nesërmen, gjatë shëtitjes nëpër qytetin e vjetër, rastësisht na tërhoqi vëmendjen një ekspozitë arti. Hyrëm brenda dhe u mahnitëm nga pikturat e bukura të ekspozitës me titull „Katër stinët“.

Aty patëm kënaqësinë të takonim autorin e veprave, piktorin Sadik Kasa, i cili ishte në shoqërinë e kolegut të tij, piktorit Qazim Kurtusha. Me të dy zhvilluam një bisedë të ngrohtë për artin dhe krijimtarinë, ndërsa fotografitë e përbashkëta mbetën dëshmi e këtij takimi të këndshëm.

Kështu, kjo vjeshtë na dhuroi jo vetëm bukuri natyrore e thesare historike, por edhe takime njerëzore që mbeten gjatë në kujtesë.

Udhëtimi ynë vazhdonte, por unë tashmë e ndieja se këto dhjetë ditë do të zinin një vend të veçantë në kujtimet e jetës sime. Sepse vitet kalojnë, stinët ndërrohen, por mbresat e bukura që i përjetojmë me njerëzit tanë të dashur mbeten përgjithmonë në shpirt.

Burimi: Botasot