Me 65 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot ka miratuar kalimin e pikës për ndryshimet e pjesshme në Kodin Penal, me qëllim mbrojtjen e anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA).
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, i cili ka theksuar se bëhet fjalë për ndryshime të rekomanduara nga MONEYVAL dhe Këshilli i Evropës që në vitin 2023.
Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me dispozitat e Kodit Penal për parandalimin e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe procedurat për konfiskimin e pasurisë.
Sipas Milloshoskit, këto ndryshime synojnë përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare dhe mbrojtjen e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në SEPA, Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave.
