Alarm nga studiuesit: Edhe një përdorim i vetëm i IQOS shkakton dëmtime në enët e gjakut dhe ADN

Edhe një përdorim i vetëm i produkteve të duhanit me ngrohje, të tilla si IQOS, rezulton në dëmtime në enët e gjakut, sipas një studimi të publikuar në European Journal of Preventive Cardiology.

Hulmtuesit kryen vlerësime të hollësishme të mostrave të gjakut, presionit të gjakut dhe se sa mirë funksionojnë enët e gjakut tek duhanpirësit e shëndetshëm para dhe pasi pinë dy cigare me ngrohje njëra pas tjetrës, përmes pajisjes IQOS. Ata thonë se rezultatet e tyre sfidojnë pretendimet se këto produkte janë dukshëm më pak të dëmshme për sistemin kardiovaskular krahasuar me cigaret tradicionale dhe nxjerrin në pah nevojën për të marrë në konsideratë të gjitha produktet që përmbajnë nikotinë në politikat e shëndetit publik.

“Produktet, të tilla si IQOS, të cilat ngrohin duhanin në vend që ta djegin atë, shpesh tregtohen si alternativa më pak të dëmshme ndaj cigareve tradicionale. Megjithatë, provat e pavarura mbi efektet e tyre të menjëhershme në shëndetin kardiovaskular dhe trupin në tërësi, mbeten të kufizuara”, tha drejtuesja e studimit Dr. Lea Strohm nga Qendra Mjekësore Universitare Mainz, Gjermani.

Në studim morën pjesë 30 duhanpirës të rritur, me moshë mesatare 34 vjeç, të cilët nuk kishin probleme të njohura shëndetësore. Pas marrjes së mostrave të gjakut, matjes së tensionit dhe ekzaminimit me ultratinguj të arteries kryesore në krahun e djathtë, pjesëmarrësit përdorën produktin me ngrohje. Më pas, të njëjtat kontrolle u përsëritën.

Krahasimi i rezultateve para dhe pas përdorimit evidentoi disa ndryshime:

Tensioni sistolik u rrit me 3 mmHg.
Funksioni i enëve të gjakut u përkeqësua me 11%, sipas matjes së zgjerimit të arterieve në përgjigje të rritjes së qarkullimit të gjakut.
Ngopja e gjakut me oksigjen ra nga rreth 71% në 46%, duke sinjalizuar ndryshime në furnizimin e organizmit me oksigjen.
Studiuesit konstatuan gjithashtu dëmtime të ADN-së në qelizat e gjakut dhe shenja të stresit oksidativ, një shenjë se qelizat po përpiqen të mbrohen nga dëmtimi.

“Gjetjet tona tregojnë se këto produkte nuk janë biologjikisht të padëmshme. Edhe ekspozimi afatshkurtër ndaj tyre ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar çrregullime në funksionimin e enëve të gjakut, ndryshime metabolike dhe dëmtime gjenetike te persona që, pavarësisht përdorimit të duhanit, gëzonin shëndet të mirë.

Këto rezultate vënë në pikëpyetje pretendimet se produktet e duhanit me ngrohje janë dukshëm më pak të dëmshme për sistemin kardiovaskular sesa cigaret tradicionale.

Ky studim ofron të dhëna të qarta, të mbledhura në kushte të kontrolluara, mbi ndikimin e menjëhershëm të përdorimit të duhanit me ngrohje në sistemin kardiovaskular. Megjithatë, nevojiten studime më të gjera dhe afatgjata për të kuptuar se sa zgjasin këto efekte”, tha Dr. Strohm.

Bashkautori i studimit, profesori Thomas Münzel, nga Qendra Mjekësore Universitare e Mainz-it në Gjermani, paralajmëroi se asnjë produkt që përmban nikotinë nuk mund të konsiderohet i sigurt për zemrën dhe enët e gjakut, pavarësisht nëse konsumohet përmes cigareve tradicionale, produkteve me ngrohje apo cigareve elektronike.

Ai u shpreh se: “Asnjë produkt që përmban nikotinë, pavarësisht nëse konsumohet përmes pirjes, ngrohjes, avullimit apo përthithjes, nuk mund të konsiderohet i sigurt për zemrën dhe enët e gjakut.

Ndërsa shtoi se: “Duhani me ngrohje prodhon më pak substanca nga procesi i djegies, por përsëri çliron nikotinë, e cila dëmton shtresën e brendshme të enëve të gjakut, rrit tensionin arterial dhe nxit zhvillimin e aterosklerozës. Politikëbërësit duhet të ndalojnë së bëri dallime mes nikotinës që digjet dhe asaj që nuk digjet, dhe t’i rregullojnë të gjitha produktet e nikotinës përmes një kuadri të vetëm ligjor, i cili të përfshijë kufizime për aromatizuesit, ndalimin e reklamave dhe ligje që ndalojnë përdorimin e të gjitha këtyre produkteve në ambientet ku pirja e duhanit nuk lejohet.”