Alarm shëndetësor, konfirmohet rasti i parë me malarie në Shqipëri! Dyshime për një tjetër të infektuar

Rasti i parë i malaries është konfirmuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shtetas të huaj, i cili po trajtohet në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë, ku ndodhet i izoluar nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Pacienti po merr trajtimin përkatës dhe gjendja e tij po ndiqet nga stafi shëndetësor. Sipas raportimeve të Top Channel, paralelisht ka dyshime për një tjetër person të prekur nga malaria, por ky rast ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Konfirmimi i këtij rasti rikthen në vëmendje një sëmundje që prej shumë vitesh nuk qarkullon në Shqipëri në formë endemike. Malaria është një infeksion që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se rastet e raportuara ndër vite në vend kanë qenë kryesisht të importuara, duke prekur persona që kanë udhëtuar në shtete apo rajone ku sëmundja është ende e përhapur./ Zoom.al