Tuesday, April 21, 2026

Lajmi në kohë reale

Banda e Talo Çelës e qëlloi 30 herë me AK-47, “Fania” i Beratit “lutet” në Angli: Mos më ekstradoni, do më ekzekutojnë! Ata vrasin për Kryeministrin

Një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, Irfan Azizi, i njohur ndryshe si “Fania”, po përpiqet të bllokojë ekstradimin e tij nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, duke pretenduar se kthimi në vendlindje do t’i rrezikonte jetën.

Ai doli para Gjykatës së Magjistraturës në Westminster, ku kundërshtoi kërkesën për ekstradim, duke deklaruar se sapo të prekë tokën shqiptare ai mund të bjerë pre e një atentati të dytë, që sipas tij mbrapa do të qëndrojë një nga kriminelët më të përfolur në vendin tonë, pikërisht Talo Çela.

Gjatë seancës dëgjimore, 36-vjeçari rrëfeu se i shpëtoi për mrekulli një atentati të ndodhur më 29 nëntor 2020, kur u qëllua me rreth 30 plumba nga një person i armatosur me kallashnikov pranë një karburanti. “Ata filluan të më qëllonin, rreth 30 plumba. Një plumb më goditi dorën, e cila më copëtoi në 13 vende”, deklaroi Azizi para gjykatës britanike, duke përshkruar momentet dramatike të sulmit që, sipas tij, e detyroi të largohej nga Shqipëria.

Sipas dëshmisë së tij, grupi kriminal që organizoi atentatin është tepër i fuqishëm dhe i lidhur me struktura të larta, duke pretenduar madje se “kryejnë vrasje për Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm”. Ai shtoi se nuk ka pasur paralajmërime të mëparshme, pasi “ata nuk paralajmërojnë kur do të të vrasin, thjesht vijnë për ty”.

Autoritetet shqiptare e kërkojnë Azizin për të vuajtur një dënim me një vit burg, pasi është dënuar në mungesë për posedim të një telefoni celular në paraburgim. Megjithatë, gjatë një shkëmbimi të pazakontë në sallën e gjyqit, ai pranoi se kishte paguar një gjyqtar në Shqipëri për të mbyllur çështjen. “Kjo është metoda me të cilën paguan para për të mbyllur çështjen. Unë nuk mashtrova, unë korruptova. Nëse ka një dënim me burg dhe nëse doni që ai të eliminohet, paguani”, u shpreh ai.

E kaluara e Azizit rezulton e mbushur me precedentë penalë. Në Shqipëri, ai është dënuar më herët për vjedhje dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme, përfshirë lojërat e fatit. Në vitin 2019 ai mori dy dënime me burg, ndërsa vetëm pak muaj më pas u rikthye sërish i lirë. Ndërkohë, në prill të vitit 2025, ai u dënua në Gjykatën e Kurorës në Sëindon me gjashtë muaj burg për posedim të patentave të falsifikuara gjermane.

Azizi, i cili e përshkroi veten si një “ish-biznesmen të pasur” në Shqipëri me disa pika karburanti, lavazhe dhe një bar-kafe, u largua nga vendi pesë javë pas atentatit, duke udhëtuar me autobus drejt Britanisë së Madhe. Fillimisht ai qëndroi te miqtë dhe të afërmit, përpara se të vendosej në Sheffield, ku më pas iu bashkua edhe bashkëshortja.

Çifti kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar me argumentin e frikës për persekutim dhe fillimisht u sistemua në një hotel të financuar nga taksapaguesit në Ëiltshire. Aktualisht, ata jetojnë në Taunton së bashku me katër fëmijët e tyre, të cilët marrin mbështetje nga autoritetet vendore.

Megjithatë, prokuroria britanike i ka vënë në pikëpyetje pretendimet e Azizit. Gjatë marrjes në pyetje, përfaqësuesi i akuzës, zoti Ball, theksoi se gjatë pesë viteve që ai ka jetuar në Britani nuk ka pasur asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjes së tij. “Nëse mendoni se ky grup është kaq i fuqishëm, pse nuk jeni kërcënuar që atëherë?”, pyeti ai, duke shtuar se nuk ka prova që mbështesin pretendimet për rrezik të vazhdueshëm.

Nga ana e tij, Azizi këmbënguli se rreziku mbetet i lartë dhe se kthimi në Shqipëri do të kishte pasoja fatale. “Nëse shkoj në Shqipëri, do të më vrasin dhe që të mos shkoj, do të më duhet t’i vras ata dhe nuk dua të kryej ndonjë krim duke u mbrojtur”, deklaroi ai, duke theksuar gjithashtu frikën për sigurinë e familjes së tij.

Madje mbrojtja e tij tha se ekstradimi mund të ndikojë edhe te bashkëshortja dhe fëmijët, megjithatë prokuroria argumentoi se familja përballet me depërtim vetëm në rast se kërkesa për azil refuzohet.

Seanca për ekstradimin e Irfan Azizit vijon, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të përcaktojë nëse ai do të rikthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë apo do të qëndrojë në Britaninë e Madhe nën statusin e azilkërkuesit.

Latest Posts

Mos e humb lajmin