Sunday, April 19, 2026

Lajmi në kohë reale

BDI mban mbledhjen e katërt të Këshillit të Përgjithshëm në Likovë/ Fokus në Marrëveshjen e Ohrit dhe zhvillimet politike në vend

Në komunën e Likovës u mbajt sot mbledhja e katërt e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e thirrur nga kryetari Ali Ahmeti, me qëllim diskutimin e zhvillimeve aktuale politike në vend dhe organizimit të brendshëm partiak.

Në mbledhje u zhvillua një analizë e situatës politike në Maqedoninë e Veriut, ku u shpreh shqetësim për tendencat që, sipas BDI-së, synojnë cenimin e Marrëveshjes së Ohrit. Partia theksoi se kjo marrëveshje mbetet bazë për stabilitetin e shtetit dhe rrugën drejt integrimit evropian, duke kërkuar respektimin e saj të plotë nga të gjitha palët.

BDI u bëri thirrje iniciatorëve dhe zbatuesve të këtyre, siç i cilëson, veprimeve të tërhiqen dhe të ruhet Marrëveshja e Ohrit si garanci për stabilitetin dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Në mbledhje u trajtuan gjithashtu edhe zhvillimet e fundit lidhur me ish-kryetarë komunash nga radhët e BDI-së, përfshirë Blerim Bexhetin dhe Fatmir Deharin. Nga partia u theksua se mbështesin kontrollin dhe transparencën institucionale, por kundërshtojnë, siç u shprehën, presionin politik dhe drejtësinë selektive.

U përmendën edhe rastet në Saraj dhe Kërçovë, për të cilat BDI kërkon trajtim të drejtë dhe të paanshëm institucional.

Në pjesën e zhvillimeve ndërkombëtare, u diskutua për situatën në Evropë dhe zgjedhjet në Hungari, si dhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme, të cilat u vlerësuan si shqetësuese për stabilitetin global. BDI shprehu mbështetje për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si partner strategjik në ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e dialogut për arritjen e paqes.

Në fund të mbledhjes, kryetarët e degëve raportuan mbi procesin e kuvendeve të nëndegëve dhe përgatitjet për kuvendet e degëve, të cilat pritet të përmbyllen me struktura të reja partiake.

Latest Posts

Mos e humb lajmin