GazetaMax
LAJME

Dedinec: Puna e TE-TO këtë dimër është me rëndësi për sistemin elektroenergjetik

Shkup, 9 tetor – Janë të rralla vendet që kanë probleme të vogla me krizën energjetike dhe prandaj ky dimër do të jetë sfidë e vërtetë për njerëzit përgjegjës në kompanitë energjetike. Me rëndësi kyçe për sistemin tone elektroenergjetik këtë dimër është puna e TE-TO Shkup, gjë që u tregua kyçe edhe në vitin 2021. Amvisëritë dhe sektori  publik, nga ana tjetër, duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë maksimalisht racionale energjinë dhe në këtë mënyrë të realizohen disa kursime të caktuara që EMV do të mund t’i orientojë drejt industrisë, ndërsa duhet edhe të forcohet dhe të thjeshtësohet maksimalisht vendosja e fotovoltaikëve në çati, porositë në intervistë Aleksandar Dedinec, ekspert nga AMSHA në fushën e energjetikës dhe mjedisit jetësor.

Gjendemi para njërit prej dimrave më të vështirë në të cili shtetet evropiane janë në të ashtuquajturën garë për sigurimin e energjensave të nevojshëm. Sipas jush, a është shteti ynë i përgatitur për dimrin e ardhshëm, më saktësisht nëse do të kemi energjensë dhe rrymë të mjaftueshme?

– Fatkeqësisht kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjen vetëm njerëzit nga Ministria e Ekonomisë dhe EMV-së, për arsye se ata kanë të dhëna për atë se sa saktësisht kemi sasi të thëngjillit dhe cila dhe sa energjensë mund të importojmë me çmime të pranueshme. Ajo që unë mund ta them është se ky do të jetë dimër i rëndë jo vetëm për Maqedoninë, por për rajonin dhe më gjerë. Janë të rralla vendet që kanë probleme të vogla me krizën.

Kompetentët sigurojnë se të gjitha kapacitetet energjetike në vend do të vihen në funksion në mënyrë që të prodhohet sasi e mjaftueshme e energjisë elektrike. Por, sa është kjo e mundshme duke marrë parasysh se në kapacitetet energjetike nuk është investuar më shumë se 30 vite?

– Elektrocentralet me thëngjill duke filluar nga viti 2011, e deri në vitin 2021 në vazhdimësi e ulin prodhimtarinë e tyre të energjisë elektrike, kështu që nëse në vitin 2011 kanë prodhuar rreth 5600 gigavatë orë, ndërsa në vitin 2021 kanë prodhuar vetëm rreth 2100 gigavatë orë. Arsyet për këtë janë disa, duke filluar nga ajo se EMV me liberalizimin e tregut nuk arriti të kapë hapin me tregun e energjisë elektrike, respektivisht se si hapej tregu EMV hiqte dorë nga ata konsumatorë dhe orientohej vetëm ndaj konsumatorëve të tregut të rregulluar. Njëra nga arsyet për uljen e prodhimtarisë është ajo se nuk ka thëngjill të mjaftueshëm, e edhe ai që është, sipas të dhënave të EMV-së, është me vlerë shumë të ulët kalorike, krahasuar me vlerën kalorike të thëngjillit që është gërmuar 10 vite më parë. Puna në tre blloqet do të varet së pari nga ajo nëse do të sigurohet importi i thëngjillit dhe cilën vlerë kalorike. Tre blloqet së bashku me fuqinë e plotë të punës nuk kanë punuar qëmoti kështu që kjo do të jetë sfidë e vërtetë për EMV-në. Përveç kësaj, puna e dy blloqeve të TEC Negotinë është e pasigurt dhe kjo paraqet sfidë. Prandaj, është me rëndësi kyçe për sistemin elektroenergjetik këtë dimër është puna e TE-TO Shkup, gjë që u tregua kyçe edhe në vitin 2021. Do të ritheksoj se ky dimër do të jetë sfidë e vërtetë për njerëzit përgjegjës në kompanitë energjetike.

Këshilli Ekonomik i Qeverisë është vendi ku ditëve të fundit shqyrtohen të gjitha opsionet në mënyrë që të kalojë më lehtë dimri i radhës. Bashkësia afariste kërkon rrymë më të lirë sesa ajo e bursës dhe përfshirjen e TE-TO në gjithë procesin. Cilat janë opsionet që na qëndrojnë në dispozicion në mënyrë që të sigurojmë energji më të lirë elektrike për ekonominë dhe furnizim të papenguar të rrymës deri te qytetarët?

– Së pari, është e pasigurt se çfarë do të ndodhë edhe në bursën e energjisë elektrike. Liderët evropianë paralajmërojnë kufizimin e çmimeve ose anashkalimin e gazit natyror nga formimi i çmimeve të bursave. Shikoni, formimi i çmimit të tregut të energjisë elektrike është i komplikuar dhe rrallëkush nga qytetarët e rëndomtë mund ta kuptojë atë. Do të tentoj që të them shkurtimisht se çmimi në tregun e energjisë elektrike përcaktohet në bazë të teknologjisë që ofron çmim më të ulët, gjë që bie ndesh me të gjitha tregjet që i dimë.

Me fjalë tjera, nëse në tregun ka nevojë që të sigurohen 100 gigavatë orë, ndërsa ofrohen tre elektocentrale që prodhojnë energji elektrike – për shembull elektrocentrale diellore që prodhojnë 20 gigavatë orë me çmim prej 20 euro për megavat orë, elektrocentrale me thëngjill që prodhojnë 70 gigavat orë me çmim prej 70 euro për megavat orë dhe elektrocentrale me gaz natyror që prodhojnë 10 gigavat orë me çmim prej 200 euro për megavat orë, çmimi i të gjithë 100 gigavat orëve nuk do të jetë mesatare nga çmimet e secilës teknologji, por do të jetë 200 euro për megavatë orë. Pikërisht kjo është arsyeja për rritjen e çmimeve në tregun e energjisë elektrike. Nëse përjashtohen elektrocentralet me gaz natyror prej 200 euro për megavat orë do të ulet në 83 euro për megavat orë. Kështu që nëse kjo ndodhë çmimet e ekonomisë do të ulen në mënyrë dramatike.

Opsioni tjetër siç e thash edhe në pyetjen paraprake është që të punojë TE-TO dhe TEC Negotinë, që do të furnizojnë energji për kompanitë. Por, duhet të jetë e qartë se ky nuk do të jetë proces i lehtë. Secila kompani që ka dalë në tregun e lirë ka furnizuesin e vet me energji elektrike me të cilin ka nënshkruar përgjigje, kështu që duhet të shihet se si do të zgjidhen edhe këto përgjigje. Amvisëria dhe sektori publik duhet në mënyrë maksimalisht racionale ta shfrytëzojnë energjinë dhe në këtë mënyrë të realizohen kursime të caktuara që EMV do të mund t’i orientojë drejt industrisë. Duhet të forcohet dhe thjeshtësohet në maksimum vendosja e fotovoltaikëve në çati, që do të ketë kontribut të caktuar ndaj zbutjes së tronditjes së çmimit.

Qeveria zhvillon bisedime me Serbinë në mënyrë që të sigurojë gaz për punën e TE-TO-s, e si zëvendësim t’i japë Serbisë një pjesë të energjisë së prodhuar elektrike. A është e mundshme që kjo të realizohet dhe prej ku do të vinte gazi në centralin, meqë nuk kemi interkonektor të gazit me Serbinë?

“Kjo do të ishte mundësi e shkëlqyer meqë tash e thash se kyçe për sistemin tonë elektroenergjetik do të jetë që këtë dimër të punojë TE-TO. Nuk ka kurrfarë problemi që gazi të vjen deri te TE-TO nëse ia dalin me bisedimet, meqë edhe Serbia furnizohet me gaz nga Gazpromi. Vetëm se Gazpromi do të duhet pjesën e gazit që do të jetë e dedikuar për punën e TE-TO në vend se deri në Serbi ta shpërndajë te ne përmes interkonektorit të gazit me Bullgarinë, që kompania ruse e ka marrë me qira deri në vitin 2030. Interes për këtë ka edhe Serbia e cila ka mungesë të energjisë elektrike që duhet ta sigurojë nga importi.

Ajo prej të cilës druajnë qytetarët janë restrikcionet e rrymës. A është i mundshëm skenari i tillë?

Sinqerisht nuk besoj se për amvisëritë do të ketë restrikcione. Nëse shihet se cilat janë nevojat e furnizuesit universal në disa vitet e fundit dhe sa energji prodhon EMV-ja do të shihet se ka energji të mjaftueshme për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Por, këtu ka një problem, e ky është se ka paralajmërime te furnizuesi universal që të kthehen konsumatorë të caktuar që do t’i rrisin nevojat e furnizuesit universal, e kjo do të thotë se EMV do të duhet të prodhojë më shumë sesa ajo që e ka prodhuar në tre vitet e fundit. Prandaj, do të përsëris edhe një herë, kjo do të jetë sfidë e mirëfilltë.

Bashkësia akademike përpilon strategji për zhvillimin e energjetikës që i prezanton para opinionit, por sa zbatohen ato në praktikë dhe nëse si bashkësi akademike do të mund ta parashikonit krizën energjetike?

-Po, AMSHA-ja e përpiloi Strategjinë për Zhvillimin e Energjetikës deri në vitin 2040 që bazohet në pesë shtyllat nga të cilat një është siguria në furnizimin. Si indikator në këtë shtyllë ne e vendosëm varshmërinë importuese. Varshmëria importuese është rritur në mënyrë drastike në 15 vitet e fundit edhe atë për thuajse 20 pikë procentuale, respektivisht në vitin 2021 varshmëria është mbi 65 për qind. Pra, 65 për qind të energjisë së nevojshme e importojmë dhe kjo është brengosëse. Prandaj, me Strategjinë parashikohen investime të mëdha, para së gjithash në elektrocentrale diellore dhe me erë, me çka varshmëria nga importi do të ulej në 55 për qind, me tendencë për ulje plotësese.

Askush nuk mund të parashikojë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet aq, por ajo që e parashikon Strategjia dhe që në disa raste e potencuam është se çmimi i tregjeve të energjisë elektrike pas vitit 2020 do të shkojë në mbi 100 euro për megavatë orë, diçka që ishte e paimagjinueshme në kohë derisa po përpilohej strategjia, për arsye se çmimi në periudhën 2010-2020 lëvizte nga 30-55 euro për megavat orë. Strategjia është për zhvillimin e Maqedonisë, por ishte analizuar edhe atë me vegla shkencore, gjë që ndodhë në BE, veçanërisht me tatimin e karbonit që momentalisht gjithashtu merr pjesë në masë të konsiderueshme në çmimin e energjisë elektrike. Strategjia është për periudhën prej 20 viteve dhe në vitet e para nuk ishte parashikuar që të realizohen disa projekte të mëdha, por që të përgatiten projekte nga viti 2023-2024 të fillohet me realizimin. Ajo që është shkruar në Strategjinë në pjesën më të madhe realizohet, por ende është herë të merren konkluzione. Deri tani gjithçka shkon në drejtimin e duhur.

Me luftën në Ukrainë u vendos në pikëpyetje shfrytëzimi i gazit natyror. Deri tani, Gazpromi rus nuk e ka ndërprerë furnizimin me gaz ndaj vendit, por nëse ndodhë kjo, do të jemi të detyruar të shfrytëzojmë mazut ose naftë. Çfarë do thoshte kjo për mjedisin jetësor?

– Përgjigjja është e thjeshtë, po do të duhet të kërkojmë karburante të tjera alternative, por shtrohet pyetja nëse edhe ato do të jenë të arritshme meqë nëse ndërpritet furnizimi me gaz natyror nuk do të ndërpritet vetëm për ne, por për numër të madh të shteteve dhe të gjithë do të kërkojnë karburante alternative. Duhet të jemi të urtë, për arsye se gazi natyror është energjensi që momentalisht i bën problemet më të mëdha. Ndërprerja e furnizimit të tij do të thotë rritje të çmimeve të energjensave të tjerë, gjithçka është e ndërlidhur. Ndërsa, për mjedisin jetësor, mendoj se nuk ka nevojë të elaboroj, vetëm do të them, po, do të ketë ndikim të madh negativ mbi mjedisin jetësor, por nëse kjo është vetëm për sivjet, atëherë qytetarët nuk duhet të druajnë.

Sipas Jush, cili energjens është më i rekomandueshëm për sezonin e radhës me supozimin që të ndërpritet furnizimi me gaz natyror në vend?

– Po nuk kemi ndonjë lloj opsionesh, opsionet numërohen me një dorë, ndërsa për ta përmenda edhe në pyetjen paraprake. Nafta, mazuti dhe thëngjilli. Nuk shikoj diçka tjetër si alternativë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kërkuan pjesëmarrje në platformën energjetike të Bashkimit Evropian. A janë reale pritjet e këtilla?

– Nuk do të mund të përgjigjesha, për arsye se nuk jam pjesë e bisedimeve, por në këtë moment, na takon neve, e edhe të gjitha vendeve të rajonit, të kërkojmë dhe të bisedojmë me të gjithë. Zgjidhjet duhet të miratohen bashkërisht.

Shtetet evropiane miratuan masa për kursim të energjisë elektrike. Te një pjesë e tyre rekomandohet dush i shkurtër, fikje të dritave, shkyçje të pajisjeve me rrymë. Edhe te ne, Qeveria miratoi masa për kursimin e energjisë elektrike të institucioneve, por edhe rekomandime drejtuar qytetarëve. Çfarë do të mund të përmirësonim për kursime më të mëdha, a ka vetëdije te qytetarët për ndjekjen e rekomandimeve?

– Është e gjatë lista e masave që mund të ndërmerren nga qytetarët, por mendoj se duhet të jesh serioz dhe të dalësh me tre-katër rekomandime në mënyrë që të mos i habisim në mënyrë plotësuese për arsye se edhe ashtu janë të habitur. Nuk duhet të dalim me rekomandime që të shkyçen karikuesit e celularëve kur nuk mbushen telefonat për arsye se flasim për kursime minore. Kryesisht duhet të fokusohemi në ngrohjen dhe të zëvendësohen panelet, ngrohëset, madje edhe termo sobat me inverter pajisje klimatike. Përkundër faktit që çmimi i energjisë elektrike është rritur nuk ka ngrohje më të lirë të shtëpive sesa inverter pajisje klimatike. Konsideroj se edhe duhet të rriten subvencionet për inverter pajisje klimatike.

Ngrohja e ujit të ngrohtë është rekomandimi i dytë për të cilin dua të flas. Përdorimi i bojlerëve të vegjël që përdoren në kuzhinat të kurdiset në minimum ose të shkyçen, nëse ka mundësi për këtë. Bojlerët e mëdhenj të mbushen vetëm me rrymë të lirë edhe atë nuk është e thënë të kyçen nga ora 10 në mbrëmje deri në 7 në mëngjes, por vetëm dy orë. Kjo mund të bëhet vetëm me tajerë që tani shiten me çmim prej 200-300 denarë. Frigoriferët për ngrirje të thellë të shkyçen. Kjo sjell kursim nga 500 deri 1000 denarë në llogaritë. Ndriçimi, të zëvendësohen dritat me led drita, të cilat janë edhe me çmim prej 50 denarëve.

Situata në të cilën jetojmë na tregoi se investimi në kapacitete energjetike si TE-TO është mësa i nevojshëm. Si ekspert i kësaj fushe, çfarë duhet të ndërmarrim në planin afatgjatë në mënyrë që të kemi prodhimtari të qëndrueshme të energjisë elektrike?

– Ne nuk jemi shtet i pasur me resurse. Duhet t a shfrytëzojmë efikasitetin energjetik maksimalisht, ky na është resursi i vetëm që e ka secili qytet në çdo fshat. Të intensifikohet investimi në burime të ripërtërishme të energjisë para së gjithash në elektrocentrale diellore dhe me erë dhe të realizohet Çebreni. Këtu mund të flasim edhe për hidrogjen dhe automjete elektrike, por ta lëmë atë për ndonjë rast tjetër.

Related posts

Vazhdon seanca kuvendore për zgjedhjen e zëvendësministrave

e-max

Escobar: Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin për ta zhbërë atë që Serbia po bën me Veriun e Kosovës

e-max

Kërkesa e Osmanit për cerifikimin e politikanëve, “therrë” në sytë e Siljanovskës

e-max