Qeveria do të vazhdojë të zbatojë politika që krijojnë mjedis afarist të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe transparent, në të cilin investitorët do të jenë në gjendje të planifikojnë dhe të zhvillohen në planin afatgjatë. Kjo u deklarua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska para Shoqatës Britanike të Biznesit, e cila sot festoi tre vjet ekzistencë dhe funksionim në vend.
Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një nga partneret më të rëndësishme ekonomike të Maqedonisë dhe se kjo konfirmohet edhe nga të dhënat mbi tregtinë e jashtme, përkatësisht importet dhe eksportet e realizuara, si dhe fluksi i investimeve nga Mbretëria e Bashkuar.
“Investimet britanike kanë rëndësi të veçantë sepse ato nuk nënkuptojnë vetëm kapital financiar. Ato sjellin teknologji të reja, standarde më të larta në punë, zhvillim të kapitalit njerëzor, krijim të vendeve cilësore të punës dhe krijim të vlerës së re në ekonomi”, theksoi ministrja.
Ministrja potencoi nënshkrimin e Partneritetit strategjik ndërmjet MB-së dhe RMV-së, duke theksuar se kjo përbën kontribut të rëndësishëm për përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në nivel më të lartë, si dhe paraqet sinjal për përkushtimin afatgjatë të MB-së për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.
Ajo shprehu bindjen se në vitet në vijim do të ketë bashkëpunim më të fuqishëm tregtar, rritje të investimeve dhe projekte të reja të përbashkëta që do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët tanë dhe ekonomitë tona.
Shoqata Britanike e Biznesit është themeluar në vitin 2023 dhe vepron për avancimin e lidhjeve tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, përfaqësimin e interesave të kompanive britanike në vend, si dhe të kompanive të tjera që kanë interes biznesi me të.
