GazetaMax
LAJME

Dizeli është liruar, prodhuesit paguajnë rrymë të lirë, por çmimet nuk ulen

Shkup, 11 Dhjetor – Çmimi i dizelit dhe derivateve tjera në pompat e benzinës janë liruar për afër 30% nga niveli i përpara gjashtë muajve, por kjo nuk është pasqyruar në çmimet e produkteve me pakicë. Dizeli, i cili shfrytëzohet për transport dhe ka ndikim më të madh gjatë formimit të çmimeve me pakicë, në qershor ishte 110 denarë, ndërkaq sot 79,5 denarë për litër.

Plotësisht, prej 1 dhjetorit, prodhuesit e ushqimit paguajnë çmim më të lirë për rrymë elektrike, por tani për tani nuk plotësohen pritjet e Qeverisë për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore për të paktën 10%.

Edhe të dhënat e fundit zyrtare për shpenzimet e jetesës nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se shtrenjtimi vazhdon, pavarësisht çmimeve të derivateve dhe energjensëve.

Në nëntor, krahasuar me tetor, çmime më të larta ka te mishi, peshku, qumështi, uji mineral, pijet e gazuara, lëngjet e frutave dhe perimet, gjiza dhe djathi, kafeja, çaji, vezët, sheqeri, xhemi, mjalti, çokollata, birra, buka dhe drithërat. Ulje të rrallë ka te frutat dhe vaji për ushqim.

Nëpër marketet e mëdha, çmimet e produkteve ushqimore mbeten në të njëjtin nivel, madje disa edhe janë shtrenjtuar.

Buka e bardhë e cila peshon 420 gramë kushton 40 denarë. Mishi i freskët i lopës 600 denarë për kg, mishi i viçit 800 denarë për kg, djathi prej 350 deri në 400 denarë për kg, kaçkavalli 500 denarë për kg, qumështi 80-90 denarë për litër.

Sipas analizës javore ekonomike të Portalb.mk, inflacioni i lartë dyshifror në vend është nxitur jo vetëm nga çmimet, por edhe nga rritja e rrogave. Në Maqedoni tashmë është rritur rroga minimale, që shkaktoi edhe rritjen e rrogave të tjera, në shtator u rritën edhe pensionet për 6,8%.

Optimizmi paralajmërojnë vlerësimet se për dy vitet e ardhshme pritet inflacion njëshifror, por edhe këto vlerësime janë gjithashtu të “dyshimta” për shkak të pasigurisë së kohëzgjatjes së konfliktit ushtarak në Ukrainë. Ministria e Financave bëri të ditur se vitin e ardhshëm pritet inflacion njëshifror, por megjithatë i kushtëzuar nga kriza energjetike dhe ekonomike.

Related posts

Si i bëri bashkë Bujar Osmani 4 shtete ballkanike dhe e trazoi Serbinë

e-max

LAJMI I FUNDIT/ Arratiset nga burgu ish zv.drejtori i DAP-it Ismet Guri

e-max

Reagim i VMRO pas demantit nga LSDM

e-max