GazetaMax
LAJME

EDITORIAL/ Marrdhëniet Maqedoni – Kosovë, marrëveshjet e bashkëpunimit ngelën sa për sy e faqe

EDITORIAL NGA AGJENCIA E LAJMEVE ZHURNAL

Shkup, 18 tetor – Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës në shtator të vitit të kaluar për herë të parë mbajtën Mbledhjen e parë të përbashkët ndërqeveritare. Edhe pse ky është një hap i madh në thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer që e kanë të dy vendet, sërish nevojitet që të përmbushen edhe shumë premtime me të cilat do të duhet të përfitonin qytetarët e dy anëve të kufirit.

Maqedoni e Veriut – Kosovë, marrëdhënie të ngushta fqinjësore

Mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës është edhe një konfirmim për marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore, për bashkëpunimin e ngushtë, për realizimin e vazhdueshëm të interesave të ndërsjella dhe për ndarjen e përcaktimeve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor si rajon i qëndrueshëm i paqes, plotësisht i integruar në BE dhe NATO.

Bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive duhet të sjellë edhe shumë projekte që do të mundësojnë bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet qeverive dhe ministrive dhe institucioneve kompetente, të cilat janë në interes të qytetarëve. Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut e lidhin shumë interesa të përbashkëta, kështu edhe ekonomitë e dy vendeve janë të drejtuara njëra drejt tjetrës.

Në mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare në plan të parë ishin vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për ndërlidhjen infrastrukturore të dy vendeve, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të bashkëpunimit dhe komunikimit ekonomik, si dhe ato që përfshijnë projekte ndërkufitare me mbështetjen e programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjetikës, si dhe në planin e turizmit, kulturës dhe të tjera.

Dy vendet nuk janë të mëdha në territor dhe këtu kanë ngjashmëri, por kanë ambicie dhe potenciale të mëdha. Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë me Republikën e Kosovës përvojat nga integrimi në NATO dhe përpjekjet për anëtarësim në BE.

Mbledhja epërbashkët e dy qeverive ishte si moment historik i marrëdhenieve në mes dy vendeve. Të dy vendet ndajnë shumëçka me njëra tjetrën pasi historia e dy vendeve është e mbushur me ngjarje të cilat në mënyrë të pandashme kanë përcaktuar fatin e dy vendeve.

Iniciativa të përbashkëta mes dy qeverive

Në mbledhjen e përbashkët u kumtuan edhe iniciativat e përbashkëta në mbrojtjen e mjedisit jetësor, për bashkëpunim të projekteve të zhvillimit rural dhe në bujqësi, për ndihmë juridike në procedurat civile, bashkëpunim ndërkufitar dhe bashkëpunim në projekte për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Dy qeveritë nënshkruan 11 Marrëveshje mes dy vendeve që numrin e dokumenete të nënshkruara bilaterale mes dy vendeve e ngritin në 53 Marrëveshje gjithsej.

Dy qeveritë nënshkruan Memorandumet për Mirëkuptim për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë dhe për rehabilitimin e zonës tampon Bllacë mes dy objekteve kufitare të të dyja vendeve, marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e diasporës, Marrëveshja për Statusin e Pjesëtarëve të Forcave ARMV-së dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (SOFA), Protokoll për Zbatimin e Marrëveshjes për realizimin e Marrëveshjes për rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, Memorandum për Bashkëpunim në Sektorin Energjetik, Marrëveshje për Bashkëpunim në fushën e turizmit, Memorandum për Bashkëpunim në fushën e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrësish, Marrëveshje për Partneritet, Memorandum për Bashkëpunim në Vetëqeverisjes Lokale dhe Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrive të së Bujqësisë të të dy vendeve.

Çfarë nuk është bërë ende midis këtyre dy vendeve

Nëse vështrojmë serinë e Marrëveshjeve të nënshkruara midis dy qeverive krijohet përshytpja se dy vendet më nuk kanë asgjë çfarë duhet të bëjnë së bashku në të ardhmen. Por, ajo që është shkruar në letër, duket larg për tu realizuar. E fatkeqësisht të gjitha shtetet në Ballkan janë rekord i ligjeve, memorandumeve, marrëveshjeve e dokumenteve të nënshkruara, por që realizimi i tyre thuajse që nuk ndodh asnjëherë. Ose edhe kur ndodhë, kjo bëhet sa për sy e faqe vetëm për të kënaqur faktorët ndërkombëtar, kurse ballkanasit vazhdojnë me avazin e tyre, ngadalë – ngadalë, me qejfe e sevda.

Prandaj, përveç fjalëve boshe dhe njyrës në letër, mbeten ende larg realizimit të veprave konkrete. Ditë më parë u krijua projekti i rrugës nga kufiri i Bllacës me Kosovën e deri në qytet të Shkupit, ndërsa projekti madhor që do të lidhë rrugën mes Tetovës dhe Prizrenit nuk është askund. Gjithashtu nuk ka kompletim të kapaciteteve në pikën kufitare Jazhincë të cilat në masë të madhe do të lehtësojnë komunikacionin për qytetarët dhe biznesin, e sidomos që do të lehtësojnë lëvizjen e ngarkuar në Bllacë-Han të Elezit, kurse kjo iniciativë do të zhvillonte edhe më shumë pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit jugperëndimor të Kosovës.

Gjithashtu nuk është bërë thuajse asgjë në lidhje me përpjekjet për menaxhim të përbashkët të kontrolleve kufitare dhe doganore dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave midis dy vendeve. Maqedonia e Veriut ka hapur pika kufitare “One stop shop” me Serbinë, por ende s’e ka bërë këtë me Kosovën dhe Shqipërinë. Qytetarëve duhet t’u mundësohet lëvizje e lirë pa probleme e pritje të gjata në pikat kufitare. Gjithashtu ka ende probleme me besimin e ndërsjellë të institucioneve të sigurisë, institucioneve ushqimore dhe në sigurimin e njohjeve të diplomave mes dy vendeve.

Andaj, nëse nuk ka probleme të hapura politike mes dy vendeve, përveç faktit se Kosova ende nuk po e pranon Ballkanin e Hapur, qytetarëve duhet t’iu lehtësohet jeta dhe jo të ngarkohet edhe më shumë. Deri në mbajtjen e dytë të mbledhjes ndërqeveritare, e cila duhet të ndodh deri në fund të këtij viti, ministrat e dy vendeve të japin raport dhe përgjegjësi se çfarë kanë bërë për qytetarët, e jo të harxhojnë kot ngjyrë e letër në emër të qytetarëve!/Zhurnal.mk

Related posts

Luçi me porosi për udhëheqësinë e Alternativës: Përkundër të gjitha peripetive dhe pengesave, rrugëtimi im vazhdoi në mënyrën më të mirë të mundshme

e-max

Qeveria miratoi Informacionin për nevojën e përdorimit të mbështetjes makrofinanciare nga BE për vendet jo anëtare

e-max

Gjendja dhe dëshirat e partive politike/ Dikush don Evropë, dikush pushtet !

e-max