Profesori universitar Festim Halili ka shprehur mbështetje për protestën e paralajmëruar të studentëve, e cila ka në fokus kërkesat për përdorimin e plotë dhe të barabartë të gjuhës shqipe në komunikimin institucional, si dhe mundësinë e zhvillimit të provimeve profesionale në gjuhën amtare.
Në një deklaratë para protestës, Halili theksoi se kërkesat e studentëve lidhen me çështje thelbësore të dinjitetit, barazisë kushtetuese dhe të drejtave gjuhësore në arsim dhe administratë publike.
Ai u bëri thirrje institucioneve akademike dhe shoqërisë civile që të tregojnë vëmendje ndaj këtyre kërkesave, duke theksuar se dialogu dhe mbështetja institucionale janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike.
Protesta e studentëve pritet të mbahet me pjesëmarrjen e tyre dhe mbështetjen e përfaqësuesve të komunitetit akademik.
Ja postimi i plotë:
Të nderuar profesorë, intelektualë dhe bartës të mendimit kritik,
Sot nuk kërkohet heshtje akademike, por qëndrim moral. Studentët kanë ngritur zërin për një të drejtë themelore dhe legjitime: përdorimin e plotë dhe të barabartë të gjuhës shqipe në çdo komunikim me institucionet shtetërore, si dhe mundësinë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare.
Kjo nuk është vetëm çështje administrative. Është çështje dinjiteti, barazie kushtetuese dhe respekti ndaj identitetit gjuhësor e kulturor të një populli shtetformues.
Universiteti nuk mund të mbetet neutral përballë padrejtësisë institucionale. Heshtja e akademisë në momente të tilla shndërrohet në legjitimim të diskriminimit. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë profesorëve, pa dallim, që të përkrahin publiisht protestën studentore dhe të rreshtohen në anën e së drejtës, dijes dhe barazisë qytetare.
Një shoqëri demokratike matet me mënyrën se si i garanton të drejtat gjuhësore dhe arsimore. Kur studentët kërkojnë të drejtat e tyre, ata nuk po kërkojnë privilegj — por respektimin e një parimi universal: të drejtën për të menduar, studiuar dhe vepruar lirshëm në gjuhën e tyre.
Koha kërkon zëra të guximshëm, jo heshtje komode.
