Sipas Gjorgjievskit, kur mori detyrën, kishte trashëguar borxhe prej afro 300 milionë eurosh, ndërmarrje publike të ngarkuara financiarisht dhe disa projekte infrastrukturore të ndërprera.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar detyrimet rrjedhëse të Qytetit të Shkupit janë zvogëluar për 322 milionë denarë, ndërsa janë paguar edhe 743 milionë denarë për kredi, shpronësime, procedura gjyqësore, subvencione dhe detyrime të tjera.
Sipas të dhënave të prezantuara, ulje të konsiderueshme të borxheve ka edhe te ndërmarrjet publike. Zvogëlimi më i madh është evidentuar në NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, me 1.66 miliardë denarë, ndërsa detyrimet e Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) janë ulur për 634 milionë denarë.
Në fushën e infrastrukturës, kryetari i Shkupit tha se po vazhdojnë punimet në disa projekte të rëndësishme rrugore, ndër të cilat zgjerimi i bulevardit “Boris Trajkovski”, nyja rrugore te Momin Potok, bulevardi “Maqedonia” dhe ura që lidh rrugët “Lubjanska” dhe “Skupi”.
Po ashtu, po punohet në rrugët lidhëse drejt urës “Gjeneral Mihajlo Apostollski”, ndërsa në disa komuna të Shkupit janë rikonstruktuar rrugë dhe janë vendosur rreth 2.000 shtylla mbrojtëse për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Një nga prioritetet kryesore mbetet transporti publik. Gjorgjievski paralajmëroi blerjen e 100 autobusëve të rinj ekologjikë, si dhe vazhdimin e aktiviteteve për realizimin e sistemit të transportit të shpejtë me autobusë – BRT.
Ai theksoi se nga shtatori ka filluar të funksionojë treni urban në relacionin Zelenikovë–Shkup. Sipas të dhënave të tij, NTP-ja gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ka kursyer rreth gjysmë milioni euro për karburant, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në fushën e mjedisit jetësor, kryetari informoi se është zhbllokuar ndërtimi i stacionit për trajtimin e ujërave të ndotura në Trubarevë, realizimi i të cilit ka tejkaluar 40 për qind. Ky projekt pritet të kontribuojë ndjeshëm në uljen e ndotjes së lumit Vardar.
Paralelisht po realizohen aktivitete për përmirësimin e higjienës komunale, përfshirë blerjen e 3.300 kontejnerëve të rinj dhe automjeteve të specializuara për grumbullimin e mbeturinave.
Ndër projektet e paralajmëruara ekologjike është edhe transformimi i hapësirës së ish-deponisë së Vardarishtes në një park të madh me sipërfaqe prej rreth 600.000 metrash katrorë, si dhe krijimi i korridoreve të reja të gjelbra dhe hapësirave parku.
Gjorgjievski paralajmëroi edhe projekte të reja infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e një ure dhe një rruge që do të lidhin Gjorçe Petrovin me Sarajin, si dhe një urë të re mbi lumin Vardar, ndërmjet Novo Lisiçes dhe Maxharit.
Deri në përfundim të mandatit, sipas paralajmërimeve të tij, Shkupi duhet të bëhet me rrugën e parë nëntokësore.
Në fushën e digjitalizimit, administrata e qytetit po punon për krijimin e një kopjeje digjitale të Shkupit, e cila do të mundësojë planifikim më të mirë urbanistik dhe menaxhim më efikas të qytetit. Gjithashtu janë vendosur shërbime elektronike për pagesën e tatimit në pronë, si dhe platforma “EkoShkupi” për raportimin e problemeve mjedisore.
Në raportin njëvjeçar u përfshinë edhe investimet në mbrojtjen kundër zjarrit, ndër të cilat ndërtimi i një stacioni të ri zjarrfikës në Aerodrom dhe blerja e një automjeti të specializuar. Po ashtu, janë realizuar investime në shkolla përmes pajisjes së kabineteve dhe laboratorëve modernë.
“Para një viti kërkova të besoni se mundemi. Sot ju prezantoj veprat me të cilat e arsyetojmë atë besim. Do të vazhdojmë me vendosmëri edhe më të madhe, derisa ndryshimi të arrijë në çdo lagje të Shkupit”, deklaroi Gjorgjievski.
Kryetari vlerësoi se viti i parë ishte përkushtuar rimëkëmbjes financiare dhe nisjes së projekteve të rëndësishme, ndërsa në periudhën e ardhshme fokusi do të jetë përfundimi i tyre dhe realizimi i investimeve të reja.
Sipas tij, synimi përfundimtar është që Shkupi të ketë infrastrukturë më të mirë, transport publik më efikas, mjedis më të pastër dhe shërbime publike më cilësore për qytetarët.
