Saturday, April 25, 2026

Lajmi në kohë reale

“Hiqe shkrimin, përndryshe ndjek edhe rrugët kanunore” – këngëtari Hysen Hysenaj kërcënon gazetarin, përfundon në pranga

Një rast që ka tronditur raportin mes medias dhe figurave publike është zbardhur në Prishtinë, ku një gazetar është kërcënuar drejtpërdrejt për një shkrim të publikuar, mëson Sinjali.

Gjithçka nisi pas publikimit të një analize për vetëcensurimin e këngëve ikonike shqiptare, ku përmendej edhe këngëtari Hysen Hysenaj. Sipas denoncimit të gazetarit Salih Mehmeti, ai kishte marrë mesazhe kërcënuese si në Facebook ashtu edhe në emailin zyrtar të gazetës.

Në një nga mesazhet, i dyshuari i kishte shkruar hapur: nëse shkrimi nuk hiqet, përveç rrugëve ligjore “do të ndiqen edhe ato kanunore” – një paralajmërim që është interpretuar si kërcënim serioz.

Pas hetimeve disa mujore, më 23 prill 2026, i dyshuari Hysen Hysenaj është intervistuar nga policia në prani të avokatit. Ai ka pranuar se i ka dërguar mesazhet, duke u arsyetuar se kishte reaguar në afekt dhe pa e menduar mirë.

Pavarësisht kësaj, me urdhër të prokurorit kujdestar, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Kanosje”. Rasti ka ngritur shqetësime për presionin ndaj gazetarëve dhe lirinë e shprehjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Latest Posts

Mos e humb lajmin