GazetaMax
LAJME

Hulumtim/ Rreth 42,5 për qind e nxënësve konsiderojnë se ka dhunë në shkolla, një e katërta i raportojnë ato

Shkup, 19 nëntor – Rreth 42,5 për qind e nxënësve konsiderojnë se ka dhunë në shkollën e tyre, ndërsa vetëm një e katërta i raportojnë ato si të tilla. Si arsye më të shpeshta të dhunës mes bashkëmoshatarëve në shkolla janë demonstrimi i forcës, xhelozia dhe problemet e sjelljes, tregon hulumtimi i Ambasadës së parë për fëmijë në botë “Megjashi” të realizuar në shkollat ​​fillore dhe të mesme në Shkup.

Anketa është realizuar në periudhën shtator – tetor të këtij viti me rastin e 19 Nëntorit – Ditës Botërore për parandalimin e abuzimit të fëmijëve dhe të rinjve.

Nxënësit kanë deklaruar se në vendbanimin e tyre më së shumti ndjehen të pasigurt për shkak të pranisë së dhunës apo përkatësisë etnike, qenve endacakë dhe djemve problematikë në grupe.

Si formën më të zakonshme të dhunës, 25,7 për qind e nxënësve e njohin dhunën verbale, pasuar nga dhuna sociale (përjashtimi nga grupi/thashetheme) me 24,8 për qind. Të anketuarit konsiderojnë se nuk ka dallim ndërmjet gjinive sa i përket asaj se kush është më shpesh viktimë e dhunës – 54 për qind e të anketuarve konsiderojnë madje se edhe djemtë dhe vajzat janë njëlloj viktima të dhunës.

Vetëm një e katërta, pra 25,7 për qind e nxënësve kanë deklaruar se kanë raportuar dhunë, ndërsa 15 për qind nuk duan të përgjigjen, që sipas “Megjashit”, sugjeron se ndoshta kanë qenë dëshmitarë të dhunës, por nuk ndjehen komod të flasin në lidhje me të ose ta raportojnë.

Vetëm 33,6 për qind e nxënësve konisderojnë se shërbimet përgjegjëse në shkollën e tyre reagojnë në mënyrë adekuate dhe në kohë ndaj rasteve të dhunës. Një pjesë e madhe kanë deklaruar se nuk janë të njohur me mënyrën se si reagojnë shërbimet (27,4 për qind) ose se shërbimet nuk reagojnë në mënyrë adekuate dhe me shpejtësi (11.5 për qind).

Rrjeti i udhëhequr nga Fondacioni Women’s World Summit (WWSF), anëtar i të cilit është ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi”, bashkon mbi 930 institucione/organizata qeveritare dhe joqeveritare nga më shumë se 135 shtete çdo vit shënojnë këtë ditë.

“Maqedonia ka një Strategji nacionale aktive për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna (2020-2025), sipas së cilës mbi termin dhunë nënkuptohen ‘të gjitha llojet e dhunës fizike apo mendore, lëndime apo abuzime, neglizhencë apo trajtim i pakujdesshëm, keqtrajtim edhe eksploatim të një fëmije, përfshirë edhe abuzimin seksual, në aspektin e besimit dhe kujdesit nga prindërit, kujdestarët apo çdo person tjetër që i është besuar ligjërisht kujdesi ndaj fëmijës”, njofton Ambasada e parë për fëmijë “Megjashi”.

Related posts

Tregu i kripto valutave i ndikuar nga shtrejtimi i energjisë elektrike

e-max

Bushi: Ali Ahmeti bën më të mirën për të gjithë shqiptarët

e-max

Inflacioni në nëntor 19,5 për qind

e-max