Incident në Gjinekologji: Të porsalindurit i pritet një pjesë e gishtit gjatë heqjes së infuzionit

Komisioni Disiplinor i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës do të hetojë rrethanat në të cilat është lënduar një foshnjë vetëm dyditëshe, së cilës i është prerë një pjesë e gishtit gjatë heqjes së infuzionit.

Lëndimi është konstatuar më 16 nëntor, pas së cilës është thirrur menjëherë një kirurg për fëmijë. Me rekomandimin e tij, foshnja është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas informacioneve jozyrtare, lëndimi ka ndodhur gjatë heqjes së infuzionit, ndërsa dyshohet se është shkaktuar nga një infermiere me mbi 20 vjet përvojë pune, ndaj së cilës deri më tani nuk ka pasur ankesa.

Nga Klinika e Gjinekologjisë kanë konfirmuar se rasti është evidentuar zyrtarisht dhe është raportuar si ngjarje e padëshiruar. Gjithashtu, rasti është shqyrtuar nga Komisioni për Cilësi.

“Për këtë rast është caktuar edhe një mbledhje e Komisionit Disiplinor, me qëllim të konstatimit të plotë dhe objektiv të gjendjes faktike, rrethanave në të cilat ka ndodhur lëndimi dhe përcaktimit të përgjegjësisë individuale”, njoftojnë nga Klinika.

Nga institucioni shëndetësor theksojnë se raste të tilla trajtohen me seriozitetin më të lartë dhe se nuk do të ketë tolerancë për lëshime të mundshme.

Nëse konstatohet përgjegjësi, paralajmërojnë se do të ndërmerren masat më të rrepta, në përputhje me dispozitat ligjore.

Burimi:TV21