Vendet e Gjirit Persik kanë njoftuar të mërkurën se kishin ndaluar raketa dhe dronë nga Irani dhe aleatët e tij Houthi në Jemen, pasi Shtetet e Bashkuara kishin goditur ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit, duke shënuar një përshkallëzim të armiqësive, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës nëntëmujore.
Ushtria iraniane ka thënë se kishte shënjestruar instalimet amerikane të dronëve dhe raketave në bazën Ali Al Salem në Kuvajt, pasi aleati i SHBA-së njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po përballeshin me sulme armiqësore me dronë.
Ky është sulmi i parë iranian ndaj këtij vendi të pasur me naftë që nga shtatori.
Bahrejni fqinj ka thënë se kishte penguar sulme ajrore iraniane për herë të tretë këtë javë. Ai ka akuzuar Teheranin zyrtar se po vazhdon të ndjekë një “qasje sistematike armiqësore” duke shënjestruar vendin, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës Amerikane.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër rebelëve Houthi në Jemen, të cilët janë të rreshtuar me Iranin, ka thënë se kishte shkatërruar një raketë lundruese të lëshuar nga kjo milici në drejtim të kryeqytetit saudit, Riadit.
Të martën, në anën tjetër të Gjirit, avionët luftarakë amerikanë goditën një pozicion të lëshimit të raketave të Gardës Revolucionare në ishullin Qeshm, ka thënë një zyrtar ushtarak amerikan, në kushte anonimiteti për Reuters.
Zyrtari ka thënë se sulmi ishte ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Iranit kundër personelit dhe aseteve amerikane.
Trumpi ka thënë të martën se SHBA-ja po e merrte seriozisht mundësinë që Irani mund të ishte duke planifikuar një sulm ndaj Uashingtonit.
Ai i është përgjigjur kështu një pyetjeje lidhur me një raportim të CNN-it, i cili citonte vlerësime të inteligjencës amerikane për një komplot të mundshëm iranian që përfshinte përdorimin e të ashtuquajturës “bombë e pistë”.
Por të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se nuk besonte se ekzistonte ndonjë kërcënim i menjëhershëm ndaj kryeqytetit amerikan.
Burimi:TV21
