Në ceremoninë tradicionale për zgjedhjen e sportistëve më të mirë të Kumanovës për vitin 2025, u nderuan sportistë, klube dhe institucione që me sukseset e tyre lanë gjurmë të rëndësishme në sportin vendor dhe përtej kufijve të shtetit. Ngjarja vuri në pah traditën e pasur sportive të qytetit, por në qendër të vëmendjes ishte KF Bashkimi 1947, i cili u shpall Klubi i Vitit në Kumanovë, duke u vlerësuar me pllaketë të madhe.
Vlerësimi për KF Bashkimi 1947 si Klubi i Vitit në Kumanovë vjen si rezultat i punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe rezultateve konkrete të arritura gjatë vitit 2025, vit në të cilin ky klub futbolli shënoi një sukses historik duke u rikthyer pas plot 17 vitesh në Ligën e Parë të Maqedonisë.
Në vijim janë sportistët, trajnerët dhe përfaqësuesit e klubeve që u veçuan në kuadër të zgjedhjes së më të mirëve në sport për vitin 2025 në Kumanovë, duke përfaqësuar me dinjitet klubet dhe institucionet sportive shqiptare në qytet:
Prof. Sazan Latifi nga SHF “Bajram Shabani”, u vlerësua për kontributin e tij në zhvillimin e sportit shkollor dhe punën e vazhdueshme me nxënësit.
Mursel Misini nga Klubi i Karatesë Bashkimi 2002, u shpërblye për sukseset e tij në kategorinë e seniorëve.
Adis Murati nga KF Bashkimi 1947, u shpërblye si një nga talentët premtues të futbollit kumanovar.
Rexhep Murati (2004), përfaqësues i KF Bashkimi 1947, u dallua në kategorinë e sportistëve seniorë.
Azem Azemi dhe Ajan Muaremi, po ashtu nga Karate Klubi Bashkimi 2002, u vlerësuan për rezultatet e arritura në kategoritë e reja.
Fjolla Avdili dhe Gzime Hajrullahu nga Klubi i Futbollit për Femra Bashkimi, u shpërblyen për paraqitjet e tyre dhe perspektivën sportive.
Anuar Imeri nga Klubi i Boksit Fajter Ileri, u vlerësua në kategorinë e sportistëve të rinj për sukseset e tij në ring.
Gazmend Hiseini nga FC Forca, u nderua me çmimin për trajnerin më të mirë në kategorinë e seniorëve, pas rezultateve të rëndësishme të arritura me ekipin e tij.
Këto vlerësime konfirmojnë rolin e rëndësishëm të klubeve shqiptare në sportin e Kumanovës, si dhe dëshmojnë për një brez sportistësh dhe trajnerësh që po e mbajnë gjallë dhe po e avancojnë sportin në qytet.

