Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, po qëndrojnë në Berlin, ku po marrin pjesë në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve, në mbështetje të Ukrainës.
“Bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në Berlin morëm pjesë në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve, kushtuar situatës aktuale në Ukrainë dhe përpjekjeve për arritjen e paqes.
Në takimin e organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz u theksua rëndësia e shtimit të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës, si dhe nevoja për veprim të përbashkët të partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Konfirmuam mbështetjen e vendit tonë për përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, përmes dialogut, diplomacisë dhe koordinimit me aleatët tanë”, ka bërë të ditur Mickoski.
