Llalla s’i shpëton dënimit me 2 vite burg, GJKKO i rrëzon kërkesën për parashkrim! Ish-kryeprokurori në kërkim prej vitit 2021, qëndron në Itali

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për parashkrimin e dënimit me dy vite burg.

Llalla iu drejtua gjykatës me kërkesën për të shpallur të parashkruar dënimin, duke pretenduar se kishte kaluar afati ligjor për ekzekutimin e tij.

Megjithatë, GJKKO nuk e ka pranuar kërkesën, duke lënë në fuqi detyrimin për vuajtjen e dënimit të dhënë ndaj ish-kryeprokurorit.

Adriatik Llalla është dënuar me dy vite burg për veprën penale të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë. Vendimi i dënimit është lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm në shtator të vitit 2021.

Ish-kryeprokurori vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe ndodhet jashtë vendit, në Itali.

Ai u largua nga Shqipëria përpara ekzekutimit të vendimit të dënimit, ndërsa në dhjetor të vitit 2021 u arrestua në Romë.

Megjithatë, pas arrestimit, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, autoritetet italiane vendosën lirimin e tij nën masa mbikëqyrjeje.

Më konkretisht, ish-kryeprokurori u dënua në pranverën e 2021-shit, ndërsa vendimi u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 22 shtator 2021. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode, që lidheshin me shpenzimet për lindjen e djalit, ndërtimin e katit të tretë të një banese dhe shkollimin e vajzës në Gjermani.

Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e një apartamenti në Durrës dhe rreth 22 mijë metrave katrorë tokë në periferi të Tiranës, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Pasi u largua nga Shqipëria, Llalla kërkoi azil politik në Itali, ku u arrestua në dhjetor të vitit 2021. Por më pas për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u lirua me kushtin që do të mbahej në survejim nga autoritetet italiane.