Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel.
Pas takimit, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë organizim është riafirmuar vazhdimi i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për Ukrainën dhe popullin e saj.
Ai ka theksuar se edhe Kosova po kontribuon në këtë përpjekje përmes trajnimit të pjesëtarëve të ushtrisë ukrainase dhe mbështetjes ushtarake.
Sipas ministrit, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), Kosova ka trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas në shtatë grupe, ndërsa ka dërguar edhe dy pako të mbështetjes ushtarake.
Maqedonci ka bërë të ditur gjithashtu se për më shumë se dy vjet, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kontribuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas në kuadër të operacionit britanik Interflex.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe paqes në Evropë”, ka shkruar ai.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, para fillimit të takimit, Maqedonci ka zhvilluar edhe një takim me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi, në Përfaqësinë e Shqipërisë në NATO.
Ministri ka bërë të ditur se me të ka diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ndërsa e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Evropë më e sigurt”, ka përfunduar Maqedonci.
Burimi: botasot.info
