Dasmat tradicionale me qindra të ftuar dhe organizime luksoze po i lënë gjithnjë e më shumë vendin një trendi të ri në Itali. Sipas një raporti të publikuar nga platforma ProntoPro, martesa në vitin 2026 po shkon drejt formatit “microwedding”, ku çiftet preferojnë ceremoni më të vogla, më intime dhe të organizuara në ambiente natyrore.
Më pak të ftuar, më shumë intimitet
Të dhënat tregojnë një ndryshim të qartë në mënyrën si italianët organizojnë ditën e tyre të madhe. Rreth një në dy çifte zgjedhin të kenë më pak se 50 të ftuar (27%). Ndërkohë, 21% kufizohen në 30 të ftuar ose më pak, ndërsa 20% ende mbajnë lista me të paktën 80 të ftuar. Vetëm 18% organizojnë dasma me mbi 100 të ftuar.
Edhe pjesëmarrja e fëmijëve po ulet ndjeshëm: 47% e çifteve ftojnë maksimumi deri në 10 fëmijë, duke reflektuar një qasje më të thjeshtuar dhe më të fokusuar te të rriturit.
Natyra si skenë e preferuar
Zgjedhjet për vendin e ceremonisë po anojnë gjithnjë e më shumë drejt hapësirave të gjelbra. Restorantet dhe agroturizmat kryesojnë me 26%, të ndjekura nga vilat me 25.5%, ndërsa kopshtet dhe parqet arrijnë 22%. Kjo tregon një preferencë në rritje për ambiente natyrore dhe të hapura.
Shërbimet më të kërkuara
Fotografia mbetet shërbimi më i rëndësishëm për çiftet, duke shënuar rritje prej 21%. Gjithashtu rritet ndjeshëm kërkesa për catering (+56%), ku 62% zgjedhin opsione me çmim mesatar, ndërsa 20% preferojnë të lira dhe 16% premium.
Në trend janë edhe violinistët (+25%), videomakerët (+19%) dhe dekorimi (+18%). Ndër shërbimet e tjera renditen DJ dhe muzika (+13%), wedding planner (+12%), si dhe make-up dhe qiraja e makinës (+10%). Fokus i përgjithshëm mbetet krijimi i një atmosfere të veçantë dhe kujtimeve të personalizuara.
Ndryshime edhe mes Veriut dhe Jugut
Veriu i Italisë po përqafon gjithnjë e më shumë dasmat intime me pak të ftuar, ndërsa në jug tradita e festave të mëdha vazhdon të ruhet. Napoli është i vetmi rajon ku dasmat me mbi 80 të ftuar janë më të zakonshme se ato më të vogla.
Ndërkohë, në Torino regjistrohet përqindja më e lartë e ceremonive civile (30%), ndërsa në Napoli dominon ceremonia fetare me 65%.
Trendi i përgjithshëm tregon një transformim të qartë: nga dasmat e mëdha tradicionale drejt ceremonive më të thjeshta, më personale dhe të lidhura me natyrën.
