GazetaMax
LAJME

Mbeturinat e tekstilit shans për biznese të reja

Shtip, 26 nëntor – Depot dhe sallat e konfeksioneve të tekstilit të Shtipit janë të mbushura me mbeturina të tekstilit. Materiali që mbetet pas qepjes së produkteve tekstile të gatshme magazinohet dhe duhet të kalojë procedurë të veçantë për t’u transportuar në deponinë e qytetit “Treshtena skalla”. Kiril Nashkov, përfaqësues i konfeksioneve të tekstilit të Shtipit në klasterin e tekstilit, shprehet se pikërisht këto mbeturina janë pasqyra e keqe para partnerëve të huaj, kur vizitojnë fabrikat për të lidhur kontrata të reja.

“Por tani të gjithë e dinë tashmë, në fillim duhej t’u sqarojmë partnerëve se çfarë do të thotë kjo dhe pse e bëjmë atë. Ne ia dalim duke i magazinuar këto mbeturina në mënyrë më diskrete, por tani për tani kjo është procedura ligjore. Fillimisht duhet të kalojnë nga Dogana për t’i parë ato mbeturina, pastaj ta magazinojmë dhe asgjësojmë”, shprehet Nashkovi.

Pikërisht kjo mbeturinë është mundësi për biznes, bën të ditur Nashkovi, por edhe Boris Sharkovski nga Fondacioni për zhvillimin e bashkësis[ lokale (FZHBL) dhe Kristina Ampeva nga “Punëtori i zëshëm i tekstilit”.

Nashkovi, pesë vjet më parë, me partner nga Kroacia kanë krijuar ndërmarrje për riciklimin dhe shfrytëzimin e mbeturinave të tekstilit nga fabrikat maqedonase të tekstilit për industrinë automobilistike në Kroaci. Por ideja ka dështuar për shkak të ligjeve dhe rregulloreve aktuale në vend.

“Atëherë nuk kemi gjetur mirëkuptim nga Drejtoria doganore, meqë kemi kërkuar të na lirojnë nga vlera e atyre mbeturinave. Pastaj na thanë se nuk është e mundur të ndryshohet ajo rregullativë, është e vështirë të organizohet ai ndryshim dhe kështu mbeti dhe ndërmarrja pret kohë më të mira. Mendoj se është dëm që këto mbeturina të shkatërrohen në këtë mënyrë, siç po i shkatërrojmë tani. Së pari, e ndotim mjedisin jetësor, më pas kemi shpenzime të mëdha për të, ndërsa në të gjithë botën riciklohet dhe prej tyre bëhet një lloj produkti”, shprehet Nashkovi.

Dy organizata joqeveritare FZHBL dhe “Punëtori i zëshëm i tekstilit” kanë disa vite që punojnë në riciklimin e mbeturinave të tekstilit. Sharkovski nga FZHBL-ja shprehet se kanë hulumtime dhe analiza për riciklimin e mbeturinave tekstile. Ai vëren se mbeturinat e tekstilit i shohin jo si mbeturina, por si resurs me të cilin mund të prodhohet produkt i ri me vlerë të shtuar.

“Ajo që po bëjmë me këtë projekt është që së pari të ndërgjegjësojmë njerëzit se mbeturinat e tekstilit nuk janë vetëm mbeturina, por janë resurs, repromaterial, i cili mund të mundësojë pavarësi ekonomike të kategorive të caktuara sociale të njerëzve”, shprehet Sharkovski.

Ai bën të ditur se për një kohë të gjatë mbeturinat e tekstilit janë përdorur për të prodhuar jastëkë për ulje, jastëkë dekorativë, pastaj për kanakarë dhe kukulla për fëmijë.

“Por ka edhe mënyra të tjera që mund të përdoren për panele izoluese, pllaka bekatoni, përdorimi është i gjerë”, shprehet Sharkovski.

Gjatë pandemisë, ata kanë angazhuar punëtore tekstili që kishin mbetur pa punë, e më pas edhe persona nga kategoritë e rrezikuara sociale që i qepin produktet nga mbeturinat e tekstilit.

Në problematikën e njëjtë prej vitesh punon edhe “Punëtori i zëshëm i tekstilit”. Kristina Ampeva nga “Punëtori i zëshëm i tekstilit” shprehet se si shoqatë e formuar nga punëtorët e tekstilit, kanë njohuri të konsiderueshme për punën me mbeturinat e tekstilit, prodhimtarinë e lonit. Ajo thekson se me mbështetjen e fondacionit “Kvinna till Kvinna” kanë pasur mundësinë që këto dy vite të punojnë më thellë në këtë segment dhe ka të bëjë me forcimin e mirëfilltë ekonomik të grave përmes ndërmarrjeve ose kooperativave sociale.

“Përveç kësaj, gjatë krizës së koronës, shumë gra nga sektori i tekstilit mbetën pa punë (nëna të vetme, të sëmurë kronike, nëna të fëmijëve deri në 10 vjeç), kështu që ne pamë në veprim mungesën e atij prodhimtarisë së lonit në kohën kur askujt nuk i interesonte për copat dhe markat e modës për faktin se e gjithë bota ishte e mbyllur dhe qëndronim në shtëpi. Përveç kësaj, edhee ajo agjenda e gjelbër që na u imponua si domosdoshmëri, e në të cilën moda e shpejtë është në vendin e dytë si ndotës global, na shtyri të ndjekim përvojat në botë dhe rajon. Ndjekja jonë kishte të bëjë me: si të punojmë me tekstile, ndërsa të paguhemi mirë dhe të kemi pagë dinjitoze për jetë, si të krijojmë vende pune që kanë kushte përkatëse dhe atmosferë të këndshme pune, vende pune misioni i të cilave është të ndajnë fitimin në mënyrë të barabartë, ndërsa një pjesë edhe për planifikimin e vendeve të reja të punës për gratë dhe personat në rrezik social, por edhe si të jeni përgjegjës për mjedisin jetësor me mbeturinat e tekstilit të reduktuara në masë të konsiderueshme, e në të njëjtën kohë të kontribuojnë në vende të reja të punës dhe të paguara mirë”, shprehet Ampeva.

Ajo vëren se nevojitet strategji, por edhe ligj për ndërmarrjet dhe kooperativat sociale, e pikërisht gjatë krizës së koronës ata treguan dhe dëshmuan se janë të qëndrueshme dhe rezistente, për dallim nga kompanitë tipike.

“Të njëjtën e kemi parë edhe te ne që gratë të cilat humbën vendet e punës gjatë krizës së koronës filluan të qepnin maska, çanta, materiale promovuese dhe kishin të ardhura solide pasi i humbën vendet e punës. Por, megjithatë na duhet rregullativë ligjore dhe ndjekje të praktikave pozitive, si p.sh. në Poloni, fonde dhe mirëkuptim më të madh nga autoritetet se ky është model i së ardhmes që është solidar, korrekt, që kujdeset për më të rrezikuarit, është i përgjegjshëm në aspektin shoqëror dhe social, e njëherësh edhe kujdeset për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe nga mbeturinat hapen vende të reja dhe të paguara të punës”, shprehet Ampeva.

Në deponinë e Shtipit përfundojnë nga 600 deri 700 tonë mbeturina tekstili

Analizat e Fondacionit për Zhvillim të Bashkësisë Lokale tregojnë se në deponinë e Shtipit “Treshtena skalla” përfundojnë nga 600 deri 700 tonë mbeturina tekstili në vend se të riciklohen, respektivisht të shfrytëzohen për prodhimin e produkteve të reja të tekstilit.

Drejtori i ndërmarrjes komunale të Shtipit “Isar”, Trajçe Zdravkov, sqaron për MIA-n se në deponinë çdo vit mbërrijnë rreth 30.000 tonë mbeturina të ndryshme, prej të cilave konfirmon se 600 deri në 700 tonë janë nga konfeksionet e Shtipit, me çka në mbeturinat e përgjithshme merr pjesë me rreth tre për qind. Është dakord që këto mbeturina bëjnë pjesë me 40 për qind, por nëse futen në pjesën e mbeturinave industriale, që mbërrijnë në deponi nga të gjitha kapacitetet industriale nga Komuna e Shtipit.

Inspektori komunal në Komunën e Shtipit, Borçe Vezenkov, shprehet se është mirë që nga 1 janari i vitit 2023 hyn në fuqi Ligji i ri për përdorimin e mbeturinave të tekstilit, vajrave dhe gomave të automjeteve.

“Sipas Ligjit të ri, neni 52, kryetari i komunës ka obligim të përcaktojë lokalitete të caktuara në të cilat do të ketë klasifikim të kësaj mbeturine. Planifikohet në vendet ku do të vendosen kontejnerë për seleksionim primar, e ju e dini se në disa lokalitete në qytet ka kontejnerë me ngjyra, për plastikë, letër dhe qelq, shpresoj se në po ato vende do të sigurohen kontejnerë për seleksionim të veçantë të mbeturinave të tekstilit”, shprehet Vezenkovi.

Deponisë së Shtipit verën e kaluar i ishte vënë zjarri nga autorë të panjohur, duke djegur në të të gjitha llojet e mbeturinave, duke përfshirë edhe tekstilin. Djegia e deponisë është edhe ndotje e mjedisit jetësor, ndërsa në fshatrat përreth dhe në qytet është ndjerë erë e pakëndshme.

Mbeturinat e tekstilit përdoren gjithashtu edhe si energjens

Industria e modës është një nga ndotësit e mjedisit jetësor, për shkak të shfrytëzimit joadekuat të mbeturinave. Marijana Acevski-Tomovska nga Konfeksioni i tekstilit “Zllateks”-Shkup shprehet se mënyra moderne e jetesës kërkon të mendohet ndryshe për cilësinë e mjedisit jetësor. Klasteri i tekstilit një kohë të gjatë përpiqej të gjejë mënyrë për të trajtuar mbeturinat e tekstilit, e njëherësh të respektojë standardet ekologjike. Deri pak do kohë, të gjitha mbeturinat e tekstilit përfundonin në deponitë. Mirëpo, me realizimin e projektit rajonal “Energjia nga mbeturinat për industrinë e çimentos nga Ballkani Perëndimor”, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, u krijuan kushtet për shfrytëzimin e mbetjeve të tekstilit industrial si karburant alternativ në fabrikën e çimentos.

“Me këtë projekt, po e bëjmë atë në atë mënyrë që i bartim mbeturinat e tekstilit në Fabrikën e çimentos “Usje”, ku digjen në temperaturë shumë të lartë dhe shndërrohen në lëndë djegëse, duke mos lëshuar gazra të dëmshëm në ajër. Përfitimi i dytë është se në bashkëpunim me Drejtorinë doganore është thjeshtuar procedura për asgjësimin e mbeturinave të tekstilit, e përfitim jo më pak i rëndësishëm është edhe zvogëlimi i shpenzimeve”, tha Acevski-Tomovska.

Importuesit e drejtpërdrejtë kanë kapacitet për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave, por prodhuesit e vegjël varen nga organizatorët”, bën të ditur Lupka Milladinova-Xhambazovski nga konfeksioni i tekstilit “Albatros”- Shtip.

“Bartjen e mbeturinave deri në Fabrikën e çimentos duhet ta organizojnë vetë kompanitë, kështu që kjo do të duhej të bëhet rregullisht, e tani me shpenzimet e reja të rritura, megjithatë kjo do të jetë barrë pak më e madhe për kompanitë”, shprehet Milladinova-Xhambazovski.

Sipas sektorit të biznesit, nevojitet mbështetje institucionale në mënyrë që projekti të jetësohet në të gjithë territorin, por konsiderojnë se kjo është një ide e shkëlqyer biznesi, që do të kontribuojë për mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.

Related posts

Nesër takim tek Kovaçevski/ BDI, ASH dhe VMRO marrin pjesë, Levica refuzoi kurse Besa ende pa vendim

e-max

Kutirov: Filloi zbatimi i deklaracioneve të gjelbra doganore, doganimi përfundon për një orë

e-max

Punëtorët e Postës bëhen gati për grevë, mungojnë 50 mln denarë për 2 mijë punëtor

e-max