GazetaMax
LAJME

MF: Misioni i FMN-së dha dritën jeshile për qasje në 530 milionë euro përmes instrumentit PLL

Shkup, 10 tetor – Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar dha dritën jeshile për dhënien e 530 milionë eurove për Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Linjës për përkujdesje dhe likuiditetit (PLL) në afat prej 24 muajve. Ky është vlerësim i lartë për politikat ekonomike që zbatohen në vend, sepse Fondi e ofron këtë instrument financiar vetëm për vendet me baza të qëndrueshme ekonomike dhe politika të qëndrueshme, informuan pasdite nga Ministria e Financave.

Pas aprovimit final të këtij instrumenti nga Bordi i FMN-së, i cili pritet deri në fund të këtij muaji, vendit tonë do t’i vihen menjëherë në dispozicion 110 milionë euro për financimin e nevojave të buxhetit dhe për ballafaqimin më të lehtë të goditjeve të shkaktuara nga kriza energjetike dhe e çmimeve.

“Qëllimi i këtij instrumentit është të ofrojë përkrahje likuiditeti për ekonomitë e qëndrueshme në kohë goditjesh dhe krizash, siç është situata aktuale globale”, theksojnë nga Ministria e Financave.

Në deklaratën e misionit të FMN-së, vlerësohet impenjimi i Qeverisë për zbatimin e mëtejshëm të konsolidimit fiskal, si dhe reformave në financat publike, para se gjithash të Ligjit të ri të Buxheteve dhe rregullave fiskale që do të kontribuojnë në këtë drejtim.

“Përmes qasjes në këtë instrument financiar, FMN-ja jep sinjale të fuqishme mbi ekonominë vendase në tregjet ndërkombëtare dhe te investitorët. Gjatë aprovimit të tij, përveç vlerësimit pozitiv për ekonominë nga misioni i fundit i këtij fondi në vend, FMN-ja vlerëson edhe politikën fiskale, politikën monetare, stabilitetin dhe supervizionin e sektorit financiar dhe përshtatshmërinë e të dhënave. Kjo linjë, nënkupton besimin në ekonominë dhe politikat që zbatohen në vend”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Financave.

Related posts

Viti i ri me konsultime të reja për ndryshime kushtetuese

e-max

Miteva: Arsovska është fajtore për kaosin në Shkup, të japë dorëheqje

e-max

Xhaferi: Unë besoj tek rinia, gjithmonë është nder të jemi krah sukseseve të juaja

e-max