Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Biologjik, nën moton “Veprim lokal për ndikim global”, u nënshkrua një Memorandum trepalësh bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe kopshteve zoologjike në Shkup dhe Manastir. Ky dokument strategjik është hapi kyç i ngjarjes së sotme, me të cilin përcaktohet korniza pesëvjeçare për vendosjen e standardeve evropiane.
Në fjalimin e tij, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor,Muamet Hoxha theksoi qëllimin kryesor të këtij partneriteti: “Dëshirojmë t’i transformojmë këto institucione në qendra moderne evropiane. Qendra që para së gjithash do të kujdesen për mirëqenien e kafshëve, mbrojtjen e jetës së egër dhe edukimin e të rinjve.”
Për të siguruar zbatim efikas të memorandumit të nënshkruar, Ministria përmes fondit BIOFIN po ndërton mekanizma të qëndrueshëm financiarë. Këto mjete do të mbështesin drejtpërdrejt punën e zonave të mbrojtura, ekosistemeve, por edhe projektet zhvillimore dhe infrastrukturore në të dy kopshtet zoologjike.
Partneriteti parasheh ndërtimin dhe rindërtimin e habitateve në përputhje me Direktivën e BE-së për kopshtet zoologjike, hapjen e një qendre edukative CITES, si dhe mbështetje për anëtarësimin e Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe Kopshtit Zoologjik të Manastirit në Shoqatën Evropiane të Kopshteve Zoologjike dhe Akuariumeve.
Ngjarja në Kopshtin Zoologjik të Shkupit bashkoi përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, komunitetit shkencor, mësimdhënësve dhe nxënësve, të cilët morën pjesë me ekspozitën e tyre të vizatimeve. Nga kjo ngjarje u dërgua mesazhi se trashëgimia e pasur dhe endemike natyrore e vendit tonë është krenari, por edhe obligim për të gjithë. Vetëm përmes punës së përbashkët të institucioneve, qytetarëve dhe të rinjve – si ruajtësit e ardhshëm të natyrës – mund ta ruajmë realisht mjedisin jetësor dhe të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme.
