Saturday, April 25, 2026

Lajmi në kohë reale

Nëna i mbyll në banesë çikat 4-muajshe dhe 5-vjeçe, arsyetohet se shkoi te familjarët e saj

Një nënë dyshohet se ka braktisur dy vajzat e saj të mitura, njëra 5-vjeçare dhe tjetra vetëm 4 muajshe, duke i lënë të vetme në banesë në rrugën “Gjon Serreqi” në Ferizaj.

Rasti ishte zbuluar pasi fqinjët janë alarmuar nga të qarat e vazhdueshme të foshnjës, të cilat kanë zgjatur nga ora 07:00 deri rreth orës 10:30 të mëngjesit të së shtunës, më 18 prill të këtij viti.

Ata kishin deklaruar se të qarat vinin pandërprerë nga banesa dhe se askush nuk u ishte përgjigjur as thirrjeve e as trokitjeve në derë, çka i ka shtyrë të njoftojnë Policinë e Kosovës.

Policia, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe mbikëqyrësin e objektit, kishte ndërhyrë për hapjen e derës së banesës, raporton Kiks Kosova.

Procesi i ndërhyrjes ka zgjatur rreth një orë duke shmangur frikësimin e fëmijëve që ndodheshin brenda.

Në momentin e hyrjes në banesë, ishin gjetur dy vajzat e mitura.

Foshnja 4-muajshe kishte qenë në djep duke qarë, ndërsa 5-vjeçarja ishte gjetur në gjumë në dhomën e ndenjës.

Sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore ka qenë stabile në momentin e gjetjes, megjithatë për vajzën më të madhe janë ngritur dyshime për çrregullim të mundshëm të spektrit autik, pa diagnozë të konfirmuar.

Sipas burimeve të Kiks Kosova, paraprakisht mes prindërve M.L (25-vjeçe) dhe B.T (29-vjeç), kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me kujdesin ndaj fëmijëve për atë ditë.

Babai ka deklaruar se ka qenë i angazhuar me punë fizike në Gjilan dhe nuk ka pasur mundësi të kujdeset për vajzat, ndërsa e ëma ka thënë se ka shkuar “te t’vet”.

Në këto rrethana, dyshohet se nëna i kishte lënë fëmijët vetëm në banesë dhe është larguar drejt Fushë-Kosovës te familjarët e saj.

Burime jozyrtare thonë se ajo ka përmendur depresionin pas lindjes dhe vështirësitë ekonomike si faktorë që kanë ndikuar në këtë veprim.

Kiks Kosova ka arritur të takohet me prindërit e fëmijëve, të cilët nuk kanë pranuar të prononcohen për rastin, megjithatë babai ka konfirmuar se bashkëshortja e tij i ka lënë fëmijët të vetëm në banesë.

Ndërkohë, fqinjët kanë deklaruar se familja kishte edhe probleme të mëhershme dhe se dyshohet për përfshirje në vepra penale, përfshirë narkotikë dhe vjedhje, duke shtuar se kishin kërkuar largimin e tyre nga objekti ku jetonin prej rreth dy muajsh.

Madje, familjarët e gruas kishin deklaruar për dhëndrin e tyre se ishte përdorues i narkotikëve.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet ndaj të dy prindërve, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Qendra për Punë Sociale në Ferizaj ka vendosur që dy vajzat të vendosen në një familje strehuese, deri në një vendim tjetër institucional.

Kiks Kosova ka vizituar edhe familjen strehuese të vajzave në lagjen Dardania në Ferizaj.

Sipas tyre, vajza 5-vjeçare është më e qetë, por ka pasur probleme me parazitë në kokë dhe i janë hequr flokët si pjesë e trajtimit.

Ndërsa foshnja 4-muajshe thuhet se vazhdon të jetë e shqetësuar dhe qan shpesh, gjë që sipas familjes mund të jetë pasojë e stresit të përjetuar.

Latest Posts

Mos e humb lajmin