Shqipëria ka riafirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe vazhdimin e përkrahjes së koordinuar ndërkombëtare për përfundimin e luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Kështu ka bërë të ditur Ermal Nufi përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), i mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel.
Nufi ka theksuar se në këtë takim është riafirmuar rëndësia e vazhdimit të mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.
“Riafirmuam bashkërisht rëndësinë e vijimit të mbështetjes së koordinuar ndërkombëtare për Ukrainën, me synimin për t’i hapur rrugë përfundimit të luftës dhe arritjes së një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, e konsideron këtë mbështetje si angazhim ndaj vlerave të përbashkëta dhe të drejtës së Ukrainës për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e saj.
Sipas Nufit, ky angazhim është njëkohësisht përgjegjësi e Shqipërisë ndaj sigurisë kolektive dhe kontributit për një hapësirë euroatlantike më të sigurt.
Burimi:botasot.info
