GazetaMax
LAJME

Osmani: Zotohem për shtet të barabartë për të gjithë

Kandidati për President Europian i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, zotohet për shtet të barabartë për të gjithë, ku përkundër pushtetit të kufizuar, si President i ardhshëm do të bëhet autoritet që do të bashkojë narrativat e ndryshme politike dhe etnike dhe një avokat aktiv i të drejtave të qytetarëve, në luftë kundër çdo forme diskriminimi. Në debatin publik për shënimin e 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Osmani theksoi se qëllimi i Frontit Europian është që Marrëveshja Kornizë e Ohrit të kthehet në lëvizje politike.

“Duke përkujtuar këtë ditë, qëndroj para jush, jo vetëm si kandidat për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por si avokat i përkushtuar për krijimin e një shteti të barabartë, me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët”, tha mes tjerash kandidati për njeriun e parë të shtetit, duke shpjeguar se ndryshimi midis një shoqërie për të gjithë dhe një shoqërie të barabartë për të gjithë është se në konceptin e parë do të dominojnë shumica, ndërsa në të dytin, pavarësisht nga numri i anëtarëve të një etnie të caktuar, të gjithë janë të barabartë në të drejta dhe privilegje.

Osmani e përshkroi situatën në të cilën ndodhen romët dhe prezantoi zgjidhje konkrete për përmirësimin e pozitës së tyre, duke përfshirë angazhimin e një këshilltari kryesor në zyrën e presidentit për çështjet rome, krijimin e mekanizmave për qasjen e romëve në shërbimet shëndetësore me fokus në shëndetin parandalues, arsimi i detyrueshëm parashkollor në mënyrë që shteti të sigurojë kopshte të mjaftueshme, prezantimi i një programi për aftësimin profesional të romëve për të fituar aftësi përkatëse me tregun e punës për të ulur papunësinë etj.

“Kjo ditë është një ditë kur nuk duhet të zbusim pikëpamjet tona, këtu duhet të tregojmë realitetin. Romët kanë jetëgjatësi më të shkurtër se komunitetet e tjera etnike. Romët kanë vdekshmëri më të lartë të foshnjeve. Romët kanë shumë më tepër sëmundje kronike sesa komunitetet e tjera etnike. Dhe kjo nuk është gjenetikë. Këto janë vetëm kushte të krijuara nga shteti për qasje në kujdesin parandalues, shërbimet shëndetësore. Kjo duhet të konstatohet. Romët janë të diskriminuar”, tha Osmani.

Kryetarja e partisë Unioni i Romëve, Fatima Osmanovska, me fjalimin e saj përcolli optimizmin se me Bujar Osmanin dhe Frontin Europian do të dëgjohet zëri i romëve.

“Besoj sinqerisht se ky zë që vjen nga ne jo vetëm që do të dëgjohet, por do të përfshihet edhe në programin e qeverisë së ardhshme dhe do të zbatohet. Besoj se kjo do të përkthehet në një politikë qeveritare dhe se më në fund, pas 4 vitesh, më 8 Prill, do të mund të flasim për atë që kemi bërë. Unë besoj në angazhimin e presidentit, edhe pse pushteti i presidentit është i vogël, unë përsëri besoj në fuqinë e individit dhe autoritetin që ka z. Bujari. Autoritetin e ka fituar me përvojën e tij politike të deritanishme që të mund të përcjellë zërin tonë si komunitet”, tha Osmanovska.

Në debat morën pjesë kandidatja për deputete e Frontit Europian, Diana Toska, e cila theksoi nevojën për më shumë angazhime për tejkalimin e barrierave ndërmjet komuniteteve etnike dhe kryetarja e Komisionit për mundësi të barabarta, Imrane Morina, e cila kërkoi përfshirje më të madhe dhe aktive të të gjitha palëve të interesuara në politikat publike, morën pjesë në debat, gjë që sipas saj, është thelbësore për një shtet të suksesshëm.

Related posts

Katsarska: Në Dhjetor i kalon mandati një gjykatësi, do të jemi në krizë kushtetuese

e-max

Spasovski: Njësia e Inteligjencës Financiare ka raportuar për rastin e Zekirit

e-max

Mariçiq: Të qëndrojmë konsekuent në qëllimin strategjik dhe t’i vazhdojmë negociatat me BE

e-max