Në emër të Institucionit Publik Parku Kombëtar „Mali Sharr“, pata kënaqësinë të falënderoj z. Nehat Ramdani, drejtor i CNVP Maqedonia e Veriut, për ftesën dhe të jem pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të tetë marrëveshjeve të granteve, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet CNVP-së dhe PONT-it.
Përmes këtyre marrëveshjeve, tri organizata të shoqërisë civile dhe pesë biznese lokale nga mikro-rajoni 5V, që përfshin fshatrat Vicë, Veshallë, Bozovcë, Brodec dhe Shipkovicë, do të mbështeten në realizimin e projekteve që synojnë ruajtjen e natyrës, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, zhvillimin e turizmit dhe promovimin e produkteve pyjore jodrusore.
Kjo nismë, e mbështetur financiarisht nga PONT dhe e zbatuar nga CNVP në kuadër të projektit „PULSE – Mbrojtja e Peizazheve dhe Specieve Unike në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut“, paraqet një hap konkret drejt zbatimit të konceptit „4 Kthimet“, duke ndërlidhur restaurimin e natyrës, forcimin e kapitalit social, krijimin e mundësive ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale.
Mali Sharr është shtëpi e një pasurie të jashtëzakonshme natyrore dhe burim jetik uji për të gjithë rajonin e Pollogut. Mbrojtja e kësaj pasurie nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një institucioni. Ajo kërkon partneritet të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe komuniteteve lokale.
Prandaj, këto grante kanë rëndësi të veçantë. Pas secilit projekt qëndrojnë njerëz, ide dhe iniciativa konkrete që mund të sjellin ndryshime pozitive në komunitetet lokale.
Falënderoj CNVP-në dhe PONT-in për mbështetjen dhe angazhimin e tyre, ndërsa të gjithë përfituesve u uroj realizim të suksesshëm të projekteve, me rezultate konkrete për natyrën dhe komunitetet e Malit Sharr.
