Të mbushur plot me ëndrra, çifti i të fejuarve Elez Kraja dhe Dhurata Sokoli humbën jetën në mënyrë makabre 36 vite më parë.
Në tentativë arratisje nga Shqipëria komuniste, plumbat e automatikut të rojeve kufitare i ndërprenë jetën në mes duke i lënë të vdekur.
Por cila është historia tronditëse e 36 viteve më parë.
Më datën 20.4.1990 rreth orës 04.10 në sektorin e postës kufitare Rrushkull në Shkodër u qëlluan me armë zjarri në tentativë për t’u arratisur: Elez Halil Kraja, vitlindja 1964, lindur dhe banues në Shkodër, punëtor në fabrikën vaj – pije Shkodër dhe Dhurata Hasan Sokoli, vitlindja 1965, lindur në Dragobi banuese në Shkodër, punëtore në fabrikën e lëkurë – këpucëve në Shkodër.
Përpjekja e tyre për arratisja dha sinjal në pengesën elektrosinjaluese. Posta e Rrushkullit u vu në alarm. U njoftuan njësitet e shërbimit të fshehtë.
Ata ishin pikasur së largu rreth orës ora 21.30, por ndjekja e çiftit të ri vijoi disa orë.
Në orën fatale njësiti hapi zjarr drejt vendit ku ata ishin fshehur. Sipas hetimeve që u zhvilluan më vonë, komandanti i postës e kishte vrarë Elez Krajën kur ishte vetëm 3-4 metra larg tij në përpjekje për të ikur.
Me të dëgjuar krismat, e fejuara e tij Dhurata Sokoli del nga vendi ku ishte fshehur, por vajza e re vihet përpara breshërive masive të kufitarëve, të cilët e plagosin rëndë pa asnjë mëshirë.
Në atë gjendje e pyetën dhe pastaj e dërguan në spitalin e Shkodrës ku edhe ndërroi jetë.
Të dy në trup kishin nga një plagë, Elezi në drejtimin nga poshtë-lart, ndërsa Dhurata në drejtim horizontal.
U krye një hetim, por “ekspertët” arritën në përfundimin se njësiti i shërbimit kishte zbatuar kërkesat sipas rregullores nr.01-40, date 13.10.1989 “Për shërbimin në njësitë piketë dhe anijet e postës kufitare”.
Dhurata Sokoli ishte në moshën 25-vjeçare kur forcat kufitare në mënyrë të tmerrshme i ndërprenë jetën në mes. Ajo së bashku me të fejuarin 26 vjeçar dëshironin të arratiseshin në Jugosllavi përmes Drinit, por u pikasën nga forcat kufitare dhe u qëlluan.
I fejuari Elez Kraja ndërroi jetë menjëherë, ndërsa Dhurata është lënë në shi e plagosur me 5 plumba deri sa ndërroi jetë. Trupat u morën pas 3 vitesh nga familjarët pasi ndërroi sistemi.
