Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë interesa të përbashkëta në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke përmendur në mënyrë të veçantë edhe konfliktin në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij hapëse në takimin trepalësh, Putin theksoi se të tria vendet kanë përgjegjësi të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit global.
Ai iu referua gjithashtu rolit të Kinës, Rusisë dhe SHBA-së si fuqi fituese të Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se ato duhet të ruajnë dhe forcojnë sistemin e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas presidentit rus, tri fuqitë kanë “interesa të shumta të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, duke përfshirë, padyshim, konfliktin në Ukrainë”.
Putin shtoi se Rusia, SHBA-ja dhe Kina janë në gjendje të japin një kontribut të rëndësishëm në forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon, ndërsa Rusia ka vijuar sulmet ndaj territorit ukrainas. Sipas raportimeve, mëngjesin e takimit Rusia sulmoi Ukrainën me rreth 98 dronë.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vazhdojnë të përballen me mospajtime të thella, veçanërisht lidhur me territoret ukrainase dhe kushtet për një marrëveshje paqeje.
Burimi:botasot.info
