Profesori dhe ish-kandidati për kryetar komune, Blerant Ramadani, ka marrë pjesë si panelist në Forumin Kombëtar për Turizmin e Gjelbër, të mbajtur në Europe House në Shkup, ku është diskutuar për mundësitë e zhvillimit të turizmit rural përmes energjisë së pastër dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve natyrore.
Ramadani ishte pjesë e panelit me temë “Turizmi i gjelbër rural: nga efiçienca e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme deri te zhvillimi i qëndrueshëm”, në kuadër të projektit Energy Wise, ku theksi u vendos te potenciali i zonave rurale dhe nevoja për krijimin e kushteve që bizneset e vogla turistike të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.
Gjatë diskutimit, Ramadani theksoi se vendi ka potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e turizmit të gjelbër, pasi zonat rurale disponojnë resurse natyrore, hapësirë dhe kushte të favorshme për shfrytëzimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas tij, sfida kryesore nuk qëndron te mungesa e teknologjisë, por te mungesa e mekanizmave dhe mjeteve që do t’u mundësonin bizneseve të vogla turistike të marrin vendime të informuara, të bazuara në të dhëna konkrete dhe analiza të mirëfillta.
“Turizmi i gjelbër fillon aty ku energjia kthehet nga kosto në vlerë”, theksoi Ramadani, duke nënvizuar rëndësinë e efiçiencës energjetike dhe investimeve në burimet e ripërtëritshme si faktorë që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e bizneseve turistike.
Pjesëmarrja e tij në këtë forum vë në pah rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve, akademikëve dhe përfaqësuesve të komunitetit në diskutimet për zhvillimin ekonomik rural, ku turizmi i qëndrueshëm mund të shërbejë si mundësi për hapjen e perspektivave të reja ekonomike.
Me këtë rast, Ramadani ka falënderuar Fondacionin Albiz dhe ALKA-n, si dhe partnerët ALDA dhe AFD, për ftesën dhe organizimin e forumit.
https://www.facebook.com/share/p/1K48F6YY6A/
