GazetaMax
LAJME

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës: Këta janë përgjegjësit e zhdukjes së Ukshin Hotit

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës që drejtohet nga Shefik Sadiku ka kërkuar zbardhjen e fatit të zhdukjes së Ukshin Hotit 24 vjet më parë.

Ukshin Hoti është marrë nga përgjegjësit e burgut më 16 maj 1999 dhe nga kjo datë më asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës ka publikuar edhe emrat se kush ishin urdhërdhënësit.

“Shteti i Kosovës me institucionet e veta, duke filluar nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë, Gjykatat, Prokuroria e Shtetit, duhet t’i marrin gjitha masat kundër kriminelëve, të cilët e kanë kidnapuar dhe ia kanë humbë gjurmët të burgosurit politik, Ukshin Hotit, më 16.05.1999 në ambientin e burgut të Dubravës së Istogut, që ishte për plotë me ushtarë serb dhe personel të burgut!”, është thënë në komunikatën e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

“Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, ka kërkuar, kërkon dhe do të kërkoj, ndriçimin e personave, qytetarëve të zhdukur, nga okupatori jugosllav-serb, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por, edhe rastin e Ukshin Hotit me shumë shokë tjerë!”, thuhet tutje në komunikatë.

Komunikata e plotë:

24 vite nga dita kur jepet urdhri për zhdukjen e Ukshin Hotit

Kush ishin urdhërdhënësit:
– Presidenca e shtetit okupues jugosllav-serb, në krye me Sllobodan Millosheviqin,
– Qeveria e të njëjtit okupator,
– Dragoljuba Jankovića – Ministër i Drejtësisë,
– Zorana Stevanović- zëvendës Ministër i Drejtësisë,
– Ministër i Informatave ishte Aleksandër Vuçiq, Presidenti aktual i Serbisë,
– Ivica Daçiq, /komandos në partinë socialiste të Millosheviqit/, Ministër i punëve të jashtme në Qeverinë e Serbisë /aktualisht/,
– Aleksandër Rakoçeviq-Drejtor i Burgut në Dubravë të Istogut,
– Mirolub Vidiq (Miki)- shef (komandant) i shërbimit të sigurimit në burgun e Dubravës,
– Zhivkoviq Aleksandar- zëvendës shef i shërbimit të sigurimit në burg,
– Branko Komatina- Mbikëqyrës i rojeve të burgut i cili e nxori personalisht të burgosurin, Ukshin Hoti, nga dhoma e burgut të Dubravës.
Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Serbisë dhe
Ivica Daçiq, Ministri i punëve të jashtme në qeverinë e Serbisë janë fajtor të dyfishtë: jo vetëm për postet politike që i kanë mbajt me përgjegjësi politike në vitin 1999, por, edhe sot, i fshehin kriminelët, të cilët e kanë bërë masakrën më të madhe ndaj të burgosurve politikë shqiptarë prej 19-24 maj 1999!
Poashtu, përgjegjës për zhdukjen e Ukshin Hotit janë:
Gjyqësori i Serbisë dhe Prokuroria e Serbisë, të cilët kanë qenë dhe janë në shërbim të politikës kriminale të Serbisë jo vetëm më 1999 por edhe në ditët e sotme!
Bisedimet Politike /teknike, shprehimisht politikanët kështu deklaronin kur i filluan bisedimet politike me Serbinë shoviniste pas vitit 2013/, nuk do të duhej filluar pa e vënë në /“bankën e zezë”/Gjykata Speciale e Hagës, Politikën e shtetit serb, për masakrat që i ka bërë me ushtrinë e saj ndaj popullit shqiptarë në trojet e tyre prej vitit 1945 e sidomos gjatë vitit 1998/99!
Burgjet dhe të Burgosurit së bashku me Spitalet dhe Pacientët e sëmurë, “janë të garantuar me Konventa Ndërkombëtare edhe në rrethana lufte”! Okupatorët jugosllav-serb, nuk kanë përfillë kurrfarë Konvente Ndërkombëtare /edhe pse janë nënshkrues të këtyre Konventave/.
Diplomacia ndërkombëtare duhet të ndërmerr masa juridike, ndaj pa përgjegjësive politike të shtetit serb!
Shteti i Kosovës me institucionet e veta, duke filluar nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë, Gjykatat, Prokuroria e Shtetit, duhet t’i marrin gjitha masat kundër kriminelëve, të cilët e kanë kidnapuar dhe ia kanë humbë gjurmët të burgosurit politik, Ukshin Hotit, më 16.05.1999 në ambientin e burgut të Dubravës së Istogut, që ishte për plotë me ushtarë serb dhe personel të burgut!
Qeveria e Kosovës, “Bisedimet Politike me Serbinë”, të përkrahura dhe të “Lehtësuara” nga Bashkimi Evropian dhe Diplomacia e SHBA-së, duhet të kërkoj që të përfshihen edhe Krimet dhe Vrasjet sistematike që i ka bërë shteti jugosllav-serb ndaj ish të dënuarve politikë shqiptarë, prej vitit 1945-1999, që do të thotë, duke mos harruar edhe Masakrën ndaj të burgosurve politikë shqiptarë në burgun e Dubravës prej 19-24 maj 1999, ku i kishin nxjerrë para pushkatimit mbi 950 të burgosur politikë, prej të cilëve i kanë vrarë afër 150 /edhe pse ende nuk ka mund të verifikohet numri i saktë për të vrarët, sepse Shteti nuk ka zhvilluar hetime/, afër 450 janë plagosur! Pas masakrës në burgun e Dubravës, urdhërdhënësit e krimit, shteti jugosllav-serb i kanë marrë të burgosurit dhe i kanë shpërnda nëpër burgjet serbe si në: CZ Beograd, Pozharevc, Mitrovicë të Sremit /Vojvodinë/, në burgun e Nishit, Leskocit e tj! Këto veprime janë kryer para syve të Diplomacisë ndërkombëtar, të cilët nuk janë marrë fare me fatin e të burgosurve politikë shqiptarë, me rastin e largimit të ushtrisë serbe nga Kosova më 1999!
Këto fakte i paraqesin të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët i kanë liruar nga burgjet serbe, nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar me seli në Gjenevë, të cilët i dorëzonin në kufi të Serbisë me Kosovën autoriteteve të UNMIK-ut!
Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, ka kërkuar, kërkon dhe do të kërkoj, ndriçimin e personave, qytetarëve të zhdukur, nga okupatori jugosllav-serb, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por, edhe rastin e Ukshin Hotit me shumë shokë tjerë!

Më 16.05.2023, Prishtinë
Kryetari i shoqatës Shefik Sadiku.

Related posts

Urim nga Xhaferi me rastin e festave të Krishtlindjeve

e-max

Deputetët e privilegjuar edhe krahas rekomandimeve të Qeverisë për kursim të rrymës

e-max

Zgjedhje të brendshme partiake në 10 degë të BDI-së

e-max