Sot në Prekaz të Epërm do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të Sinan Dautit, i cili ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë, eshtrat e të cilit u gjetën disa ditë më parë.
Ceremonia është caktuar të mbahet sot, nga ora 13:30, në varrezat e lagjes Bregaj.
Sipas njoftimit të Komisonit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Sinan Dauti, i lindur më 17 qershor 1990, ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ai ishte plagosur rëndë më 12 prill 1999 nga forcat serbe dhe kishte ndërruar jetë dy ditë më vonë në Mitrovicë, si pasojë e plagëve, ndërsa për vite të tëra familja nuk kishte pasur asnjë informacion për fatin e tij.
“Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Sinan Dautit, janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftim.
Ceremonia e rivarrimit organizohet sipas kërkesës së familjes, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.
‘Me këtë rast, në këtë moment të rëndë për familjen, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dauti”, thuhet tutje në njoftim.
