Ministri hungarez i Jashtëm, Péter Szijjártó, ka reaguar lidhur me fotografitë e publikuara në verën e vitit 2020, ku ai shihej në jahtin luksoz “Lady MRD”, në pronësi të biznesmenit László Szíjj, i njohur për pasurimin nga kontratat shtetërore.
Në atë kohë, Szijjártó e kishte cilësuar pushimin si çështje private, pavarësisht kritikave për konflikt të mundshëm interesi. Ndërkohë, në një intervistë të fundit për median Telex, ai ka dhënë një shpjegim tjetër për praninë e tij në jaht.
Sipas tij, udhëtimi erdhi pas një ftese nga miku i tij më i mirë, Szilárd Benkő, ndërsa theksoi se në atë periudhë ishte e vështirë të organizoheshin pushime për shkak të kufizimeve nga pandemia Covid-19.
Megjithatë, rasti vazhdon të ngjallë reagime në opinion, për shkak të lidhjeve mes politikës dhe biznesit, si dhe perceptimit për konflikt interesi.
