Monday, April 20, 2026

Lajmi në kohë reale

Skandal seksual trondit Qeverinë e Malit të Zi: Publikohen pamje intime të një zyrtare shtetërore

Një skandal seksual ka vënë në qendër të vëmendjes Qeverinë e Malit të Zi, pasi janë publikuar pamje intime të Mirjana Pajković, drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave. Në këtë çështje përfshihet edhe ish-këshilltari i presidentit të Malit të Zi, Dejan Vukšić.

Pas publikimit të videove eksplicite në fund të dhjetorit, Pajković e ka akuzuar drejtpërdrejt Vukšićin, duke paraqitur kallëzim penal ndaj tij.

Nga ana tjetër, Vukšić i ka mohuar kategorikisht, siç i quajti, “të gjitha pretendimet e pasakta, të paplota dhe tendencioze”, me të cilat, sipas tij, pa prova po tentohet t’i atribuohet përgjegjësia për cenimin e privatësisë së Pajkovićit dhe shpërndarjen e materialeve komprometuese.

“Për herë të parë këto përmbajtje i kam parë vetëm pasi filluan të qarkullojnë në mënyrë të paligjshme në rrjetet sociale,” deklaroi Vukšić.

Ai dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të presidentit Jakov Milatović pak para Vitit të Ri, ndërsa Pajković dha dorëheqje të premten. Të dy kanë deklaruar se arsyet janë private.

Çfarë thonë palët

Sipas Vukšićit, Pajković në tetor të vitit 2024 ia ka marrë në mënyrë të paligjshme telefonin mobil, i cili më pas është keqpërdorur, duke i cenuar rëndë privatësinë.

Ai pretendon se më pas është krijuar një regjistrim audio ku dëgjohet duke e kërcënuar atë, një telefonatë e bërë nga telefoni fiks i kabinetit të presidentit Milatović. Sipas tij, Pajković e ka përfshirë këtë regjistrim në kallëzimin penal të paraqitur në dhjetor 2025, duke krijuar përshtypjen e rreme se bëhet fjalë për një ngjarje aktuale, ndonëse ajo ka ndodhur më shumë se një vit më parë.

Vukšić thotë se fjalët e ashpra në regjistrim kanë qenë reagim ndaj vjedhjes dhe keqpërdorimit të telefonit të tij.

“Këto fjalë, pavarësisht përmbajtjes së tyre, nuk përbëjnë dhe nuk mund të përbëjnë provë për ndonjë vepër penale lidhur me krijimin apo shpërndarjen e fotografive dhe videove në rrjetet sociale. Megjithatë, sot po tentohet me vetëdije një ndërrim i tezave, ku unë, si i dëmtuar, paraqitem si autor i veprës penale, ndërsa personi që ka vepruar në mënyrë të paligjshme, si viktimë,” theksoi ai.

Ai shtoi se në mars 2025 ka marrë nga një numër i panjohur mesazhe kërcënuese që përmbanin regjistrimin audio me zërin e tij, së bashku me një përpjekje për shantazh që të hiqte dorë nga kandidatura për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, këtë e ka kuptuar si paralajmërim se regjistrimi do të publikohej nëse nuk ndiqte “udhëzimet”, për çka ka bërë kallëzim në polici ndaj Pajković dhe një personi të panjohur për tentativë shantazhi.

Ai pretendon gjithashtu se Pajković e ka kontaktuar më pas, duke i kërkuar që “t’ia kryente një punë” ose të “shlyente borxhin” për regjistrimin audio, i cili, sipas tij, ka lindur vetëm si pasojë e vjedhjes së telefonit.

Vukšić beson se Pajković e ka dorëzuar regjistrimin e diskutueshëm bashkë me kallëzimin penal për ta diskriminuar atë pikërisht në kohën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ai bëri të ditur se këtë janar ka paraqitur kallëzim penal kundër Pajkovićit për kallëzim të rremë lidhur me shpërndarjen e materialeve komprometuese.

“Për të mbrojtur integritetin tim personal dhe sigurinë e familjes sime, do të ndërmarr procedura ligjore kundër të gjithë atyre që përmes rrjeteve sociale më kanë akuzuar në mënyrë të rreme, më kanë kërcënuar dhe fyer, përfshirë edhe një deputet të Kuvendit të Malit të Zi që më ka quajtur publikisht ‘dhunues’. E vërteta nuk do të përcaktohet në rrjete sociale apo media, por vetëm para institucioneve kompetente,” deklaroi Vukšić.

Nga ana tjetër, Pajković pohon se Vukšić edhe para publikimit të pamjeve kishte kërcënuar publikisht në një emision televiziv, duke deklaruar se “e gjithë Mali i Zi do t’i shohë” fotografitë dhe pamjet komprometuese të ish-zyrtares shtetërore.

Ende nuk dihet nëse rasti do të marrë epilog gjyqësor, pasi Prokuroria nuk është deklaruar deri më tani.

Latest Posts

Mos e humb lajmin