Xi thyen protokollin: e pret vetë Trumpin në aeroport

SHENZHEN – Presidenti kinez Xi Jinping theu protokollin dhe doli vetë në aeroportin ndërkombëtar Bao’an të Shenzhenit për ta pritur presidentin amerikan Donald Trump, i cili mbërriti të mërkurën në Kinë për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Në Kinë, ku protokolli diplomatik ndiqet me rreptësi, prania e Xi-së në tapetin e kuq tregon rëndësinë që Pekini i jep marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara, vlerëson CNN. Vetëm një ditë më parë, Putinin në aeroport e kishte pritur bashkëpunëtori i ngushtë i Xi-së, Cai Qi, e jo vetë presidenti kinez.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se të enjten, më 19 nëntor, Trump dhe Xi do të zhvillojnë fillimisht një takim dypalësh dhe një drekë pune, në orën 12:45 me orën lokale (05:45 me orën e Evropës Qendrore). Në orën 14:30 (07:30 në Evropë) do të nisë takimi i parë trepalësh në histori mes Trumpit, Xi-së dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Takimi trepalësh pritet të përqendrohet te lufta me Iranin, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe stabiliteti strategjik, përfshirë kontrollin e armëve bërthamore, ndonëse zyrtarët i kanë ulur pritjet për ndonjë marrëveshje konkrete.

Xi e hapi samitin e APEC-ut me thirrje për tregti të lirë dhe për bashkëpunim më të madh në fushën e inteligjencës artificiale. Më herët gjatë ditës, ai e kishte pritur Putinin, të cilin e quajti “miku im i vjetër”, në takimin e tyre të 50-të personal.

Burimi:botasot.info