Shkup, 28 Dhjetor – Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive – Artan Grubi i ftuar nga drejtori i shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” – Halil Kastrati ka marrë pjesë në shënimin e 13-vjetorit të themelimit të kësaj shoqate.
Grubi me këtë rast ka shprehur mirënjohje për punën e kësaj organizate humanitare dhe për gjithë donatorët që kontribojnë për të ndihmuar nevojtarët.
“Kënaqësi të merrja pjesë në shënimin e 13 vjetorit të funksionimit të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” të udhëhequr nga humanisti i mirënjohur, Halil Kastrati. Veprimtaria humanitare e kësaj shoqate që ka nxitur solidaritetin ndërnjerëzor ka qenë arsye e gëzimit të shumë familjeve në vendin tonë, Kosovë dhe Shqipëri. Shpreha respekt dhe mirënjohje ndaj punës së palodhshme të kësaj shoqate dhe të gjithë donatorëve që falë një bashkëpunimi fisnik edhe këtë fundvit do të bëjnë me kulm mbi kokë 113 familje të reja”, ka shkruar zëvendëskryeministri i parë Grubi në rrjetet sociale.
Me rastin e 13 vjetorit të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” u bë edhe dhurimi i 113 palë çelsave të shtëpive të reja.