Udhëheqësit e Kosovës i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për ta dorëzuar të dyshuarin kryesor Millan Radoiçiçin dhe të akuzuarit e tjerë për sulmin e armatosur në veri të vendit, në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit policor Afrim Bunjaku.
Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi që një grup serbësh të armatosur e kryen kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Dy vjet pas sulmit, njeriu që e mori përgjegjësinë për organizimin e tij, Millan Radoiçiç, është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pasi bëri homazhe të varri i Bunjakut, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare “të mos e konsiderojë Serbinë shtet normal përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radoiçiç dhe të financuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksandar Vuçiç”.
Serbia e ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e Banjskës dhe ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij, pavarësisht se vitin e kaluar kishte paralajmëruar se do ta bënte.
Gjykata e Lartë në Beograd tha për Radion Evropa e Lirë këtë javë se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.
Vitin e kaluar, Kosova ngriti aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë, ndërsa vetëm tre nga këta të akuzuar janë duke u gjykuar në Prishtinë, pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Që të tre i mohojnë akuzat.
“Të akuzuarit duhet t’i dorëzohen menjëherë Kosovës, ku ka aktakuzë për ta dhe fakte të panumërta për përfshirje në këtë vrasje të Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre”, tha Kurti.