26 kompani bullgare renditen mes 500 kompanive më të mëdha në Evropën Qendrore dhe Lindore

Gjithsej 26 kompani bullgare bëjnë pjesë në mesin e 500 kompanive më të mëdha në Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) për vitin 2025, duke e renditur Bullgarinë në vendin e pestë në rajon për sa i përket numrit të kompanive të përfshira në renditje.

Kjo bëhet e ditur në edicionin e 18-të të studimit “CEE Top 500” (500 më të mëdhatë në EQL), të realizuar nga kompania e sigurimit të kredisë, Coface. Gjetjet kryesore të raportit u prezantuan të enjten, gjatë një aktiviteti online, raporton BTA.

Numri i kompanive bullgare në këtë renditje ka rënë me një krahasuar me edicionin e mëparshëm, kur ishin përfshirë 27 kompani.

Studimi përfshin kompanitë, xhiroja e të cilave ka tejkaluar 300 milionë euro në vitin kalendarik paraardhës. Institucionet financiare, përfshirë bankat dhe kompanitë e sigurimit, janë përjashtuar nga kjo renditje.

Polonia kryeson në rajon me 172 kompani, e ndjekur nga Çekia me 73, Hungaria me 62 dhe Rumania me 59.

Bullgaria renditet e pesta me 26 kompani, duke lënë pas Sllovakinë me 25, Lituaninë me 23, Kroacinë me 17, Serbinë me 15, Slloveninë me 13, Estoninë me 10 dhe Letoninë me 5 kompani.

Katër kompani bullgare gjenden në mesin e 100 të parave në renditje: Bulgarian Energy Holding (vendi i 45-të), Aurubis Bulgaria (vendi i 55-të), Lukoil Neftochim Burgas (vendi i 88-të) dhe Lukoil Bulgaria (vendi i 93-të).

Burimi:botasot.info