Thursday, April 30, 2026

Lajmi në kohë reale

28 vjet nga marshimi historik i 124 luftëtarëve të Isniqit – rrugëtimi i sakrificës dhe shpëtimit në Bogiqe të Plavës

Sot kujtohet një nga episodet më domethënëse të luftës për liri, 28-vjetori i marshimit heroik të 124 luftëtarëve nga Isniqi, të cilët në pranverën e vitit 1998 përshkuan një nga rrugët më të vështira drejt Kosovës.

Në natën e ftohtë të 30 prillit 1998, pas një rrugëtimi të gjatë dhe rraskapitës, luftëtarët gjetën strehim të përkohshëm për rreth katër orë në Bogiqe të Plavës. Ky ndalim i shkurtër në një objekt malor u bë vendimtar për mbijetesën e tyre, në kushte të rënda atmosferike dhe fizike.

Grupi prej 124 luftëtarësh ishte nisur një ditë më herët, më 29 prill, nga Viqidoli i Tropojës, duke kaluar nëpër Grykën e Lumës, Sylbicë, Dobërdol dhe trekëndëshin kufitar Kosovë–Shqipëri–Mal i Zi. Rruga vazhdoi nëpër Bjeshkët e Isniqit dhe të Strellcit, deri në destinacionin final – Isniq.

Udhëtimi zgjati mbi 52 orë në këmbë, në kushte tejet të vështira, me shi të pandërprerë deri në Sylbicë dhe më pas nëpër borë në zonat malore. Luftëtarët, të ngarkuar me armë dhe municion, përballuan uri, lodhje dhe mot ekstrem, duke kaluar mbi 12 orë vetëm deri afër kufirit me Kosovën, në zonën e njohur si Kerrshi i Ujkut.

Rrugëtimi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e banorëve vendas nga Viqidoli i Tropojës, të cilët i përcollën luftëtarët në fazën e parë të marshimit, si dhe pa kontributin e mërgimtarëve nga Isniqi, të ardhur nga Zvicra, të cilët siguruan mjete financiare për furnizim me armatim.

Ky marshim mbetet një dëshmi e gjallë e sakrificës, solidaritetit dhe vendosmërisë për liri, duke u kthyer në një nga momentet më frymëzuese të rezistencës shqiptare gjatë luftës.

Në këtë përvjetor, kujtohet me nderim ky rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe përulemi me respekt para të gjithë atyre që kontribuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Latest Posts

Mos e humb lajmin