Zjarri izraelit la të vrarë të paktë 44 palestinezë në Gaza të premten, shumë prej të cilëve ishin duke u përpjekur që të merrnin ushqim, thanë zyrtarët lokalë, ndërsa agjencia për fëmijë e OKB-së paralajmëroi për një thatësi të bërë nga dora e njeriut në enklavën palestineze për shkak të kolapsit të sistemeve të ujit.
Të paktën 25 njerëz që po i prisnin kamionët me ndihma u vranë nga zjarri i armëve izraelite në jug të Netzarimit, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, tha autoriteti shëndetësor lokal, që menaxhohet nga Hamasi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kur u pyet nga kjo agjenci për incidentin, ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin shkrepur të shtëna paralajmëruese drejt militantëve të dyshuar, të cilët po avanconin në turmë drejt tyre.
Një aeroplan izraelit më pas “i goditi dhe i eliminoi të dyshuarit”, tha ushtria në një deklaratë, duke shtuar se ishte e vetëdijshme për njerëz të tjerë që janë lënduar në incident dhe ishte duke kryer një rishikim.
Ndërkohë mjekët në Gaza thanë se të paktën 19 njerëz të tjerë u vranë nga sulme të tjera ushtarake izraelite në mbarë enklavën, përfshirë 12 persona në një shtëpi në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, duke e çuar në të paktën 44 numrin e përgjithshëm të viktimave të së premtes.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, Hamasi, i cili thotë se Izraeli po e përdor urinë si armë kundër popullsisë së Gazës, e akuzoi këtë shtet për shënjestrim sistematik të palestinezëve që po kërkojnë ushqim në mbarë enklavën. Izraeli e mohon këtë dhe e akuzon Hamasin për vjedhje të ndihmave ushqimore, akuzë që mohohet nga Hamasi.
UNICEF-i, agjencia e OKB-së për fëmijët, paralajmëroi në Gjenevë për kushte thatësie që po zhvillohen në Gaza.
“Fëmijët do të fillojnë të vdesin nga etja… Vetëm 40 për qind e objekteve për prodhimin e ujit të pijes mbeten funksionale” – tha para gazetarëve zëdhënësi i kësaj agjencie, James Elder. “Jemi dukshëm nën standardet emergjente në aspektin e ujit të pijes” – shtoi ai.
UNICEF-i gjithashtu raportoi për shtim për 50 për qind të rasteve të fëmijëve të moshave 6-mujore deri 5-vjeçare të pranuar për trajtim për kequshqyerje nga prilli në maj në Gaza, ndërsa gjysmë milioni njerëz në uri./Nacionale