Më 13 shtator 2026, Kuvendi i Kosovës votoi Qeverinë e katërt të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila mori 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim. Për formimin e saj votuan 53 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetë nga komunitetet joshumicë, duke i siguruar kështu Kurtit mbështetjen e nevojshme parlamentare për të marrë drejtimin e ekzekutivit.
Megjithatë, përbërja e kësaj shumice parlamentare ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë e saj gjatë mandatit qeverisës. Mbështetja e deputetëve të komuniteteve joshumicë është vendimtare për ruajtjen e numrave në Kuvend, ndërsa dallimet eventuale politike, interesat e veçanta të përfaqësuesve parlamentarë dhe vendimet e rëndësishme që e presin Qeverinë mund të ndikojnë në raportet brenda shumicës.
Në një legjislaturë ku çdo votë mund të jetë përcaktuese për miratimin e ligjeve, buxhetit dhe vendimeve të tjera me rëndësi shtetërore, ruajtja e kohezionit parlamentar mbetet një nga sfidat kryesore të Qeverisë Kurti. Çdo tërheqje e mundshme e përkrahjes mund të hapë dilema jo vetëm për vazhdimësinë e shumicës qeverisëse, por edhe për funksionimin e institucioneve dhe mundësinë e vendit për të hyrë sërish në një cikël të krizave politike.
Njohësit e zhvillimeve kanë folur për “Bota sot” rreth qëndrueshmërisë së qeverisë Kurti 4, duke ndarë mendime të ndryshme sa i përket përfundimit apo jo të mandatit qeverisës.
Shumica e mjaftueshme?
Opinionisti Gani Mehmeti, vlerëson se shumica prej 62 deputetësh është e mjaftueshme për funksionimin demokratik të institucioneve dhe se qëndrueshmëria e saj varet nga gatishmëria e deputetëve për të vazhduar bashkëqeverisjen.
Sipas Mehmetit, Qeveria aktuale është formuar me vetëm një deputet më shumë se 61 votat e nevojshme, çka e bën shumicën të ndjeshme ndaj çdo ndryshimi në qëndrimet e deputetëve.
“Qëndrueshmëria e një qeverie varet nga numri prej më shumë se 50 për qind të deputetëve në Kuvend, me të cilët mjaftohet për votim, për zgjedhje dhe për qeverisje. Po me këtë numër deputetësh është formuar edhe Qeveria e Kosovës dhe janë zgjedhur Kryeministri, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, që ka rezultuar me 53 deputetë të LVV-së dhe nëntë deputetë nga komunitetet joshumicë, pra me 62 deputetë gjithsej”, shprehet Mehmeti.
Ai thekson se kjo shumicë është e mjaftueshme për funksionimin e institucioneve, përderisa deputetët që e përbëjnë atë vazhdojnë të mbështesin Qeverinë.
“Kjo shumicë është e mjaftueshme sipas jetës demokratike, siç thuhet. Dhe, po. Kështu na del, përderisa vazhdohet me këta 62 deputetë. Mirëpo, kjo është pakëz në zgripc, nëse ndonjërit nga deputetët i shkon mendja të mos votojë, mund të ndikojë në vendimmarrje. Pra, kjo është një qeverisje me shumicën më të vogël”, vlerëson ai.
Megjithatë, Mehmeti nuk e sheh domosdoshmërisht këtë përbërje si pengesë për përfundimin e mandatit. Sipas tij, gjithçka varet nga uniteti dhe vullneti politik i deputetëve për të qëndruar në shumicën aktuale.
“Kjo shumicë është e qëndrueshme përderisa të gjithë deputetët janë për bashkëqeverisje, dhe kështu duhet të vazhdohet deri në fund të mandatit. Duket si pak e qëndrueshme, por mund të qëndrohet”, thotë Mehmeti.
Në këtë kontekst, ai përmend edhe mundësinë që shumica parlamentare të zgjerohet, nëse ndonjë deputet i opozitës vendos t’i bashkohet mbështetjes për Qeverinë, në rast se vlerëson se qeverisja po sjell rezultate për vendin.
“Kur e mendojmë njërën në minus, duhet të mendojmë edhe tjetrën me plus”, shprehet Mehmeti.
Në përfundim, analisti vlerëson se numri aktual i deputetëve nuk duhet parë vetëm si një pikë e dobët e shumicës qeverisëse, pasi mbështetja parlamentare mund të ruhet dhe madje të zgjerohet gjatë mandatit. Ai rikujton se funksionimi i Qeverisë varet nga vazhdimësia e mbështetjes së deputetëve që mundësuan formimin e saj.
A ka garanci Qeveria Kurti 4?
Ndërsa, politologu Adnan Qaka ka vlerësuar se Qeveria Kurti IV nuk e ka një shumicë parlamentare që garanton stabilitet të qëndrueshëm politik, pavarësisht se është zgjedhur me 62 vota në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, mbështetja e nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë, përveç 53 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, është përcaktuese për funksionimin e shumicës qeverisëse.
Qaka ka theksuar se çdo ndryshim i qëndrimit të deputetëve që aktualisht e mbështesin Qeverinë mund të ndikojë drejtpërdrejt në raportet politike në Kuvend.
“Qeveria Kurti IV është formuar me 62 vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht me mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë, kryesisht nga komunitetet jo-serbe. Ky numër votash i siguron Qeverisë mbështetjen e nevojshme parlamentare për formimin e saj, miratimin e ligjeve të zakonshme dhe funksionalitetin e përgjithshëm institucional. Megjithatë, një shumicë e tillë nuk përbën garanci për stabilitet të qëndrueshëm politik, pasi diferenca e vogël mbi pragun minimal të shumicës parlamentare e bën Qeverinë potencialisht të cenueshme ndaj ndryshimeve të qëndrimeve politike të deputetëve që e mbështesin”, ka deklaruar Qaka.
Ai ka rikujtuar se Kushtetuta e Kosovës përcakton se për zgjedhjen dhe rrëzimin e Qeverisë nevojiten së paku 61 vota të deputetëve.
Në këtë kontekst, politologu ka vlerësuar se opozitës do t’i duheshin edhe tri vota nga shumica aktuale për ta rrëzuar Qeverinë përmes mocionit të mosbesimit.
“Për ta rrëzuar Qeverinë Kurti IV, opozitës, edhe nëse do të arrinte të vepronte e bashkuar dhe të siguronte mbështetjen e të gjithë 58 deputetëve të saj, do t’i nevojiteshin së paku edhe tri vota nga deputetët që aktualisht përbëjnë shumicën qeverisëse. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishme ruajtjen e kohezionit politik brenda shumicës parlamentare, pasi çdo lëkundje e saj mund të krijojë mundësi reale për ndryshimin e raportit të forcave në Kuvend”, është shprehur ai.
Qaka ka sqaruar edhe procedurën kushtetuese për mocionin e mosbesimit, duke theksuar se opozitës i mjaftojnë 40 deputetë për ta iniciuar atë, ndërsa për miratimin kërkohen 61 vota.
Sipas tij, kjo mundësi mund të shndërrohet në një prej sfidave kryesore për Qeverinë aktuale.
“Në këtë kuptim, opozita nuk ka nevojë ta ketë paraprakisht shumicën e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por vetëm numrin e kërkuar kushtetues për ta iniciuar mocionin dhe për ta vendosur atë në procedurë parlamentare“, ka thënë Qaka.
Duke folur për jetëgjatësinë e ekzekutivit, politologu ka deklaruar se pret që opozita të përpiqet të sigurojë përkrahjen e deputetëve nga radhët e shumicës qeverisëse, ndërsa nuk e ka përjashtuar as mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Parashikimi im politik është se Qeveria Kurti IV do të përballet me sfida serioze të qëndrueshmërisë dhe se mundësia e përfundimit të mandatit të saj përpara afatit kushtetues mbetet e madhe. Mendoj se kjo Qeveri mund të jetojë maksimalisht dy vjet, megjithatë zhvillimet konkrete politike do të jenë përcaktuese për jetëgjatësinë e saj”, ka deklaruar ai.
Përveç çështjes së shumicës parlamentare, Qaka ka kritikuar edhe performancën e deritanishme të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke vlerësuar se mungon një plan gjithëpërfshirës për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
Ai ka përmendur veçanërisht ekonominë, shëndetësinë, drejtësinë, arsimin dhe diplomacinë si fusha ku, sipas tij, nuk janë shënuar rezultatet e pritshme.
“Nuk është paraqitur një plan bindës dhe gjithëpërfshirës zhvillimor që do të mundësonte transformim substancial ekonomik dhe institucional të vendit. Përvoja e viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka dëshmuar realizim të kënaqshëm të projekteve madhore zhvillimore dhe investimeve që do të prodhonin ndryshime strukturore në ekonominë e Kosovës. Përkundrazi, vendi ka shfaqur ngecje në disa fusha jetike, veçanërisht në zhvillimin ekonomik, shëndetësi, drejtësi, arsim dhe diplomaci”, ka vlerësuar Qaka.
Ai ka shtuar se nuk pret ndryshime substanciale në qeverisjen e vendit nëse vazhdohet me të njëjtën qasje politike dhe institucionale.
“Fatkeqësisht, sipas vlerësimit tim, qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdon të riprodhojë të njëjtat modele të dobëta të qeverisjes që e kanë karakterizuar politikën institucionale të Kosovës që nga përfundimi i luftës, duke mos arritur të sjellë ndryshimin substancial që qytetarët kanë pritur. Prandaj, nuk pres që kjo Qeveri, në kushtet aktuale politike dhe me qasjen e deritanishme qeverisëse, të prodhojë transformimin e nevojshëm ekonomik, institucional dhe shoqëror të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar politologu Adnan Qaka për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info
