Qeni i kafshoi pastruesen e shtëpisë, Chris Brown urdhërohet t’i paguajë 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim: E bleva për arsye sigurie
Këngëtari amerikan Chris Brown është shpallur përgjegjës për një sulm nga qeni në pronën e tij në Tarzana, Kaliforni, dhe është urdhëruar nga një juri në Los Angeles t’i paguajë 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim pastrueses së shtëpisë, Maria Avila, e cila u plagos rëndë gjatë incidentit në vitin 2020. Vendimi u mor pas një gjyqi dyjavor, ku juria konstatoi se Brown dhe kompania e tij, Black Pyramid LLC, kishin vepruar me neglizhencë. Avila u sulmua nga qeni bari kaukazian 90 kilogramësh, i quajtur Hades, teksa po nxirrte mbeturinat nga shtëpia e këngëtarit. Sipas dëshmisë së Avilës, sulmi i shkaktoi plagë të rënda, duke i shqyer pjesë të mëdha të lëkurës dhe duke i lënë shpërfytyrim të përhershëm në fytyrë, humbje të pjesshme të shikimit, dëmtime nervore dhe kufizime në lëvizjen e krahut të majtë. Ajo deklaroi se nuk ka mundur të rikthehet në punë për shkak të pasojave fizike dhe stresit post-traumatik. Gjatë procesit gjyqësor, juria dëgjoi se Brown u largua nga vendi i ngjarjes pa telefonuar shërbimet e emergjencës, duke ia lënë punonjësve të tij kujdesin për të plagosurën. Këngëtari argumentoi se veproi me këshillën e menaxherit të tij, pasi kishte frikë se prania e tij do të shkaktonte vëmendje të madhe mediatike. Brown pranoi një pjesë të përgjegjësisë, por kundërshtoi shkallën e dëmtimeve dhe pretendoi se Avila mbante një pjesë të fajit. Ai deklaroi se kishte paralajmëruar Avilën dhe motrën e saj, Patricia, që të mos dilnin jashtë pa praninë e rojeve të sigurisë, pasi qentë nuk ishin miqësorë. Dy gratë e mohuan këtë pretendim. Këngëtari sqaroi se qeni ishte blerë për arsye sigurie dhe mbahej nga rojet për të mbrojtur pronën, duke përmendur rastet e shumta të përndjekjes që, sipas tij, kishte përjetuar. Përveç dëmshpërblimit për Maria Avilën, juria akordoi 885 mijë dollarë për motrën e saj, Patricia, dhe 50 mijë dollarë për bashkëshortin e Avilës, Oscar Olivo.