Autoriteti i Aviacionit Civil në Arabinë Saudite zgjati të hënën pezullimin e operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad pasi objekti u vu në shënjestër të sulmeve të njëpasnjëshme nga rebelët Huthi.
Shteti i Gjirit Persik tha se po ndërmerrte masa pasi militantët e Jemenit vranë 14 persona dhe plagosën mbi 320 të tjerë gjatë sulmeve të kryera të shtunën dhe të dielën ndaj aeroportit.
Televizioni shtetëror saudit transmetoi pamje nga kamerat e sigurisë që tregonin pasagjerë të mbuluar nga tymi dhe mure që shembeshin, ndërsa prisnin në radhë në terminalin e aeroportit për të hipur në një avion pikërisht në momentin kur goditi raketa e lëshuar nga Huthët.
“Aeroporti ndërkombëtar “Mbreti Khalid” po qëndron i mbyllur për të përfunduar verifikimin e sigurisë së objektit”, bëri me dije autoriteti saudit i aviacionit.
Zëdhënësi ushtarak i Arabisë Saudite tha gjithashtu se ishin zbuluar kërcënime të mëtejshme me raketa dhe dronë ndaj atij objekti. Njoftimi erdhi ndërsa në Riad po mbahet një konferencë e profilit të lartë për Energjinë, nga ku ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, paralajmëroi se siguria energjetike nuk mund të merret si e mirëqenë në mes të luftës në Lindjen e Mesme.
Ai tha se konflikti po vë në provë infrastrukturën dhe proceset e vendimmarrjes, por paralajmëroi gjithashtu një përgjigje të ashpër ndaj sulmeve vdekjeprurëse në aeroportet dhe objektet e naftës dhe gazit të mbretërisë që janë vënë në shënjestër të sulmeve të rebelëve Huthi.
“Ngjarjet e javëve të fundit janë serioze dhe përgjigja jonë duhet të jetë po aq serioze”, u shpreh ai.
Huthët thonë se po e sulmojnë Arabinë Saudite për shkak të mbështetjes së saj për forcat qeveritare në luftën civile të Jemenit.
