Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar ndaj pretendimeve të opozitës për importimin e energjisë elektrike nga Serbia dhe kompania EFT, duke i cilësuar ato si dezinformata dhe duke kërkuar që debati për këtë çështje të zhvillohet mbi fakte dhe dokumente.
Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Kërçeli ka dhënë sqarime për mënyrën se si bëhet importimi i energjisë elektrike, duke theksuar se pjesën dërrmuese të energjisë së importuar për furnizim dhe mbulimin e humbjeve në rrjet e sigurojnë KESCO dhe KEDS, të cilat, sipas tij, janë kompani private.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk importon energji elektrike dhe se qytetarët, për shqetësimet lidhur me furnizimin, duhet t’u drejtohen kompanive përgjegjëse.
Kërçeli ka shfrytëzuar këtë debat edhe për t’i bërë një thirrje opozitës që të bashkohet me pushtetin për rikthimin e KEK-ut në pronësi shtetërore, duke kujtuar se, sipas tij, opozita e kishte shitur këtë ndërmarrje.
«Hajde po bëhemi të gjithë bashkë, hajde po ulemi e po punojmë të gjithë bashkë dhe po e kthejmë KEK-un. Hajde po e shtetëzojmë KEK-un. Hajde po e shtetëzojmë KEK-un që ju e keni shitur. Hajde bashkë, ju e shitët KEK-un e ne po e blejmë vetë. Hajde bëhemi bashkë dhe po e kthejmë atë në pronësi të Republikës së Kosovës. A jeni të gatshëm?», ka deklaruar ai.
Duke folur për rolin e ndërmarrjeve në importimin e energjisë, deputeti i LVV-së ka sqaruar se KEK-u nuk importon energji elektrike në kuptimin e furnizimit të përgjithshëm të vendit, por blen sasi të vogla, kryesisht në bursën shqiptare ALPEX.
Sipas tij, këto blerje bëhen në dy raste: kur KEK-u nuk arrin të prodhojë sasinë e planifikuar të energjisë dhe kur duhet të furnizojë ndërmarrjet që operojnë në tregun e liberalizuar.
Ai ka thënë se çmimet në bursat energjetike janë të qasshme për publikun dhe se, aktualisht, çmimi më i lirë është në ALPEX, një bursë shqiptaro-kosovare.
«Të gjithë keni qasje në internet, mund t’i shikoni çmimet në bursë. Çmimi më i lirë është në ALPEX për momentin. Hyni të gjithë tani dhe shikoni. Ju të gjithë e dini që rryma është shtrenjtuar në krejt botën. Hyni tash dhe shikoni në bursë: çmimi më i lirë është në ALPEX, në një kompani shqiptaro-kosovare», ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka përmendur edhe kompaninë Elektrosever, duke thënë se nga 1 janari 2024, kur ka filluar faturimi në komunat veriore të Kosovës, kjo kompani ka nisur të importojë energji elektrike.
Sipas Kërçelit, Elektroseveri është furnizues që është krijuar në bazë të marrëveshjeve të Brukselit gjatë qeverisjes së mëparshme.
«Që nga 1 janari 2024, kur filloi faturimi në komunat veriore, importon edhe furnizuesi Elektrosever, furnizues që e sollët ju me marrëveshjet e Brukselit. E solli qeveria juaj», ka thënë ai.
Ndërkaq, ai ka theksuar se pas liberalizimit të tregut të energjisë, në vitin 2025, importimin e energjisë e kanë bërë edhe disa furnizues të vegjël.Një pjesë të rëndësishme të fjalimit të tij, Kërçeli ia ka kushtuar pretendimeve për blerjen e energjisë elektrike nga kompania EFT dhe kompanitë serbe.
Ai i ka cilësuar këto pretendime si dezinformata, duke thënë se deri më tani askush nuk ka paraqitur dëshmi se gjatë qeverisjes së LVV-së, KEDS-i, KESCO apo KEK-u kanë blerë energji nga EFT-ja ose nga kompanitë e Serbisë.
«Këtu disa herë është thënë se po blihet energji nga EFT-ja apo Serbia. Kjo është dezinformatë e pastër. Deri më sot, askush nuk ka paraqitur asnjë fakt që, gjatë qeverisjes sonë, KEDS-i apo KESCO, e aq më pak ndërmarrja KEK, kanë blerë energji nga EFT-ja apo nga kompanitë e Serbisë. Nuk ka asnjë fakt, asnjë fakt nuk kanë», është shprehur deputeti i LVV-së.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të mos e ulin nivelin e debatit me akuza të pambështetura, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të ndikojë edhe në besimin e qytetarëve ndaj qëndrimeve të tyre.
Kërçeli ka reaguar edhe ndaj deklaratave të opozitës, të cilat i kanë cilësuar zhvillimet në sektorin e energjisë si «mafi energjetike», duke iu referuar edhe deklarimeve të liderit të tyre dhe një përmendjeje nga deputeti Taulant Balla.
Ai ka theksuar se përjashtim nga pretendimi i tij për mungesë të blerjeve nga EFT-ja është Elektroseveri, për shkak të bazës mbi të cilën është themeluar kjo kompani.
Deputeti i LVV-së është ndalur edhe te kapacitetet ndërkufitare, duke thënë se qytetarët duhet ta kuptojnë funksionimin e tyre, pasi, sipas tij, keqinterpretimi i këtyre termave përdoret për të krijuar dezinformata.
Ai ka shpjeguar se kapacitetet ndërkufitare janë mundësi teknike në linjat transmetuese, përmes të cilave një sasi e caktuar e energjisë mund të kalojë nëpër territorin e Kosovës pa u ndalur domosdoshmërisht në vend.
Në këtë kontekst, Kërçeli ka kundërshtuar pretendimet se Kosova ka pasur import të energjisë elektrike në vlerë prej një miliard eurosh, duke kërkuar nga opozita që të paraqesë dëshmi për këto deklarime.
«Dalni këtu me shpifje se një miliard euro ka pasur import të rrymës. Ku janë faktet? Ku janë faktet?», ka pyetur ai.
Sa i përket kompanisë EFT, Kërçeli ka sqaruar se ajo, sikurse operatorët e tjerë, ka mundësi të blejë kapacitete ndërkufitare përmes ankandeve rajonale.
Sipas tij, në disa raste EFT-ja ka rezervuar kapacitete për transit të energjisë nëpër Kosovë, por për këtë shërbim është e detyruar të paguajë, ndërsa të hyrat mbesin në Kosovë.
«Si çdo operator tjetër, EFT-ja mund të blejë kapacitete ndërkufitare nga ankandet rajonale. Në disa raste, EFT-ja ka rezervuar kapacitete për transit nëpër Kosovë. Për këtë transit është e obliguar ta paguajë koston. Të hyrat mbesin këtu», ka deklaruar Kërçeli.
Në vazhdim të fjalimit, deputeti i LVV-së ka pranuar se Kosova ka importuar energji elektrike nga EFT-ja, por ka theksuar se kjo ka ndodhur gjatë viteve 2008-2017, e jo gjatë qeverisjes aktuale.
Ai ka deklaruar se në disa prej këtyre viteve importet nga kjo kompani kanë arritur deri në 99 për qind, duke pretenduar se blerjet janë realizuar drejtpërdrejt nga ndërmarrja KEK.
«Kosova ka importuar nga EFT-ja, por gjatë viteve 2008 deri në vitin 2017. Në disa nga ato vite, deri në 99 për qind është importuar nga EFT-ja. Edhe këtë import, që po mundohen të na e atribuojnë neve, këta e kanë bërë drejtpërdrejt, ndërmarrja KEK me EFT-në. Gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje kjo nuk ka ndodhur kurrë», ka thënë ai.
Kërçeli ka shtuar se opozita po ia atribuon qeverisë aktuale praktika që, sipas tij, vetë i ka zbatuar gjatë kohës kur ka qenë në pushtet.
«Këta e kanë bërë këtë. Këta e njohin këtë praktikë dhe po mendojnë se ne po e vazhdojmë njëjtë, por gabojnë», ka deklaruar deputeti.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për lidhje të mundshme të kompanive të përmendura me persona brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
«Pavarësisht se si zhvillohet kjo histori, një gjë është shumë e qartë: nuk ka asnjë indikacion që ndonjëra nga këto kompani ka lidhje me dikë në Lëvizjen Vetëvendosje», ka thënë Kërçeli.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që pretendimet e tyre t’i dokumentojnë dhe, nëse kanë dëshmi, çështjen ta dërgojnë edhe në organet kompetente të drejtësisë.
Në fund të fjalimit, Kërçeli është ndalur edhe te roli i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke thënë se transparenca dhe mbikëqyrja janë të domosdoshme për të parandaluar dezinformatat në sektorin e energjisë.
Ai ka theksuar se ZRRE-ja e ka obligim ligjor mbikëqyrjen e tregut të energjisë, ndërsa Kuvendi i Kosovës duhet të ushtrojë kontroll më të madh ndaj këtij institucioni.
Sipas tij, meqë ZRRE-ja raporton para Kuvendit dhe drejtuesit e saj emërohen nga Parlamenti, deputetët kanë përgjegjësi të përbashkët për ta mbikëqyrur punën e saj.
«Dezinformatat luftohen kur mungon transparenca. Dhe këtu e kam fjalën edhe për ZRRE-në. ZRRE-ja e ka obligim ligjor mbikëqyrjen. Duhet të forcohet mbikëqyrja e ZRRE-së nga ne, kolegë të nderuar, nga ky Kuvend, sepse ZRRE-ja na raporton neve dhe ne, bashkërisht, duhet ta mbikëqyrim ZRRE-në, në mënyrë që ZRRE-ja pastaj ta mbikëqyrë tregun», ka deklaruar ai.
Kërçeli ka përfunduar duke thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë një debat të bazuar në fakte dhe jo në pretendime të pabazuara, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që institucionet të vënë në dispozicion dokumentet përkatëse.
«Qytetarët meritojnë debat mbi fakte, jo mbi trillime. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Jemi të gatshëm të sjellim çdo dokument», ka përfunduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Burimi: botasot.info
