​Protesta në Bruksel, shenja trafiku hidhen mbi skuterë

Policia belge përdori sot gaz lotsjellës dhe sprej kundër protestuesve antiqeveritarë në Bruksel.

Përleshjet ndodhën ndërsa qindra protestues u mblodhën në një demonstratë, e cila është më e fundit në një seri protestash të mbajtura muajve të fundit, ku kërkohet financim më i mirë për sistemin arsimor dhe akuzohet policia për dhunë të tepruar.

Megjithatë, përleshjet ishin më pak të ashpra se ato që ndodhën javën e kaluar, raporton KosovaPress.

Në një incident në Bruksel, protestuesit u panë duke ikur dhe duke rënë në tokë ndërsa ndiqeshin nga policia.

Protestuesit hodhën shenja trafiku dhe objekte të tjera mbi një grumbull skuterësh dhe biçikletash me qira, duke u përpjekur t’u vinin zjarrin.

Në një incident të dytë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, raportuan disa media belge.

Policia e Brukselit deklaroi në orët e vona të pasdites se nuk kishte pasur incidente të mëdha dhe se pesë persona janë ndaluar për prishje të rendit publik, dhe katër të tjerë për posedim të armëve të ndaluara.

Burimi:botasot.info