Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin të martën, më 17 nëntor, në orën 10:00, aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Bashkë me Thaçin gjykohen ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Gjyqtari i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, ka urdhëruar që të pestë të jenë fizikisht të pranishëm në seancën publike.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, së paku midis 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha vizitorëve informacion konfidencial për dëshmitarët e prokurorisë dhe udhëzime se si të ndikohej në dëshmitë e tyre në gjykimin për krime lufte.
Ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen secili me nga një akuzë për tentativë pengimi dhe një për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tri vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun dhe nëntë muaj për Kuçin. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa mbrojtjet e tyre kanë kërkuar aktgjykim lirues.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi për krime lufte, në të cilin Thaçi u dënua më 16 shtator me 25 vjet burgim në shkallë të parë.
Burimi: botasot.info
