Lajm i trishtë, një humbje e madhe jo vetëm për kulturën shqiptare, për miqtë e shumtë dhe artistët kudo që ndodhen, por në mënyrë të veçantë për mua dhe familjen time: ndarja nga jeta e akademikut të shquar, Prof. Dr. Ramazan Bogdani.
Ai e shndërroi gjithë jetën e tij në një mision, pasionin në përkushtim dhe punën në një dëshmi të përhershme të dashurisë për vendin dhe kulturën e tij.
Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani i përkiste asaj plejade të rrallë njerëzish që nuk e matën jetën me vitet që jetuan, por me gjurmët që lanë pas.
Një jetë e tërë në shërbim të artit, etnografisë dhe etnokoreologjisë shqiptare. Ky studiues skrupuloz, këmbëngulës dhe i palodhur ishte njohësi më i thellë i traditave tona dhe një dëshmitar i rrallë i pasurisë dhe i trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
Prof. Ramazani kishte një energji të jashtëzakonshme, një pasion të pashtershëm për punën dhe një lidhje thuajse të shenjtë me artin popullor.
Për të, vallja nuk ishte thjesht lëvizje, ritëm apo shprehje artistike. Ajo ishte kujtesë, identitet, histori dhe shpirt i një kombi. Në çdo hap të saj ai kërkonte të lexonte gjurmët e një trashëgimie të lashtë, të përcjellë brez pas brezi, ndër shekuj.
Ai udhëtoi nëpër të gjitha viset shqiptare, hulumtoi, mblodhi, dokumentoi dhe studioi thesaret e folklorit tonë, duke i shpëtuar nga harresa dhe duke ua përcjellë brezave si pasuri të çmuara të kujtesës kombëtare.
Veprat e tij hulumtuese dhe studimore nuk janë thjesht libra që zënë vend në bibliotekat tona, por dëshmi të gjalla të një jete të përkushtuar ndaj ruajtjes, studimit dhe përcjelljes së identitetit kulturor shqiptar.
Përtej titujve akademikë, veprave shkencore dhe vlerësimeve të shumta e të merituara, personalisht për mua, Ramazan Bogdani ishte mbi të gjitha një mik i shtrenjtë, një shpirt i bukur, i rrallë, i sinqertë, i pastër si kristali.
Ishte nga ata njerëz të rrallë që jeta nuk t’i sjell shpesh përpara, sepse brenda vetes mbartin një botë të tërë drite, fisnikërie dhe bukurie njerëzore.
Për mua, ai ishte një dritare e hapur drejt një universi të mrekullueshëm artistik, përmes së cilës njihja jo vetëm magjinë e artit dhe thellësinë e kulturës, por edhe pasurinë e jashtëzakonshme të shpirtit të tij.
Bisedat me të, prania e tij, pasioni që rrezatonte sa herë fliste për artin dhe trashëgiminë tonë, do të mbeten përherë kujtime të çmuara, të cilat koha nuk ka për t’i zbehur.
Sot, kur ajo dritare është mbyllur përgjithmonë, ndiej dhimbjen e një mungese që nuk mund të zëvendësohet.
Por drita që ai la pas, në kujtimet e mia dhe në veprën e tij, do të vazhdojë të ndriçojë. Sepse, në të vërtetë, ka miq që nuk i merr dot as vdekja; ata mbeten përgjithmonë pjesë e shpirtit tënd.
Ai ishte njeriu me të cilin ndaje jo vetëm dashurinë dhe respektin për artin e kulturën, por edhe atë dimension të veçantë njerëzor të miqësisë, që nuk ka nevojë për shumë fjalë për t’u kuptuar.
Prandaj, lajmi i largimit të tij më prek jo vetëm si humbje fizike e një personaliteti të shquar të kulturës sonë, por edhe si dhimbje thellësisht personale për ikjen e një njeriu të dashur.
Në këtë çast lamtumire, mendimi dhe përqafimi im shkojnë veçanërisht për bashkëshorten e tij, miken time të ngushtë, artisten tonë të madhe, Ema Qazimi (Bogdani).
Pas çdo personaliteti që i kushton jetën artit dhe krijimtarisë qëndron edhe një histori e përbashkët jete, dashurie, mirëkuptimi dhe përkrahjeje.
Ema dhe Ramazani ndanë së bashku një rrugëtim të gjatë jetësor dhe artistik, në të cilin arti, kultura dhe familja ishin pjesë e pandashme e botës së tyre.
Ema, e cila me zërin e saj brilant dhe interpretimin e spikatur ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare, përballet sot me dhimbjen e madhe të humbjes së njeriut të jetës, bashkëudhëtarit dhe mikut të saj më të afërt.
Në çaste të tilla, fjalët bëhen të vogla përballë dhimbjes. Megjithatë, mbetet ngushëllimi se dashuria, kujtimet dhe gjithçka që kanë ndërtuar së bashku nuk mund të shuhen nga largimi fizik. Ato mbeten të gjalla dhe të paprekshme në zemrën dhe kujtesën e atyre që kanë ndarë të njëjtin udhëtim.
Prof. Dr. Ramazan Bogdani u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare. Por mosha nuk është matësi i vërtetë i një jete. Matësi i saj është ajo që njeriu lë pas: vepra, vepra, vepra… gjurmët dhe kujtimi që mbetet në ndërgjegjen e njerëzve.
Ai la pas një trashëgimi të çmuar shkencore e artistike, një kontribut të jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare dhe, mbi të gjitha, kujtimin e një njeriu që e deshi me gjithë qenien e tij punën, artin, njerëzit dhe vendin e tij.
Sot, ndërsa i japim lamtumirën, nuk dua ta kujtoj vetëm për atë që ishte si studiues, profesor dhe personalitet i shquar i kulturës shqiptare, por edhe për NJERIUN që ishte: për energjinë e tij të pashtershme, pasionin, përkushtimin, fisnikërinë dhe gjurmën e veçantë që la në jetën e atyre që patën fatin ta njihnin.
Miqtë e vërtetë nuk largohen plotësisht, sepse ata mbeten në kujtime, në bisedat që nuk harrohen, në çastet e përbashkëta dhe në atë pjesë të jetës sonë që, falë tyre, është bërë më e bukur.
Prehu në paqen e merituar, miku im i shtrenjtë, Prof. Ramazan Bogdani!
Udhëtimi yt tokësor u mbyll, por vepra jote do të vazhdojë të jetojë në kujtesën dhe kulturën e kombit tonë.
Ngushëllimet e mia më të ndjera bashkëshortes Emës, vajzës Ershelës, familjes, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të artit e të kulturës shqiptare.
Lamtumirë, Prof. Ramazani!
Do të na mungosh, por nuk do të harrohesh!
Prehu në paqen e merituar.
Burimi: Botasot
